Si në të gjithë botën, fëmijët janë shumë të apasionuar me lojën e futbollit. Edhe fëmijët në rrugët e qytetit Hargesia, luajnë futboll dhe kanë dëshirën e madhe që kur të rriten të përfaqësojnë vendin e tyre në arenën ndërkombëtare. Por ka një problem, pasi Hargesia është kryeqyteti i Somaliland, një vend që praktikisht nuk ekziston. Për të qenë më korrekt, bëhet fjalë për një rajon autonom në lindje të Somalisë që lufton për pavarësinë e tij dhe ende nuk njihet nga organizmat ndërkombëtare. Një nga armët që ky vend po përdor për tu njohur është edhe përmes futbollit.

Prej disa vitesh është krijuar ekipi kombëtar i Somaliland, që luan ndeshje jo zyrtare në nivele të ulta. Kjo situatë e këtij vendi mund të ngjasojë sadopak me atë të Kosovës para disa vitesh që nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht edhe pse shpalli pavarësinë.
Në këtë fushatë të madhe për t’u pranuar si shtet ndërkombëtarisht përmes futbollit, Somaliland gëzon mbështetjen e disa lojtarëve me origjinë nga ky vend, që luajnë në nivele mesatare në Angli. Ahmed Ali dhe Mohammed Saeed nga Birmingham bashkë me Abdisalam Ahmed dhe Hussein Adan u rikthyen në vendin e tyre të origjinës për të ngritur infrastrukturën e futbollit.

“Ne mendojmë që çdo të riu duhet t’i jepet mundësia për të luajtur futboll. Në shumicën e vendeve të tjera tashmë ekziston një lloj strukture futbolli, ndërsa këtu sfida është që të ndërtojmë gjithçka nga poshtë lart nga e para, gjë që na ngacmoi më shumë. Ishte një sfidë që ne e morëm përsipër për të krijuar futbollin nga bazat për të arritur që të kemi një ekip kombëtar të denjë.”-tha për BBC Sport, Ahmed Ali, një ish-trajner komunal dhe agjent për West Bromwich Albion dhe Cardiff City, tani drejtues futbolli në Somaliland.
Të katër trajnerët mbërritën në vendin e origjinës së tyre të vetëm dhe pa ndonjë mbështetje. Vendi nuk është i njohur nga Fifa, ata nuk mundën dot të kapnin ndonjë financim nga ky organizëm, për të mos folur për konfederatën afrikane të futbollit. Por edhe nga brenda vendit, nga qeveria e Somaliland nuk patën mbështetjen e duhur financiar. Kjo mëse e kuptueshme në fakt nga qeveria e një vendi shumë të varfër. Pra me pak fjalë të katër trajnerët, lanë jetën e tyre të rehatshme në Angli dhe shkuan në Somaliland për të nisur çdo gjë nga zero me gati asgjë.
“Të katër ne shkuam në ministrinë e sportit dhe thamë. ‘Shikoni, ne do ta bëjmë falas këtë gjë, duam të bëjmë zhvillimin e të rinjve dhe kurset e edukimit të trajnerëve’. Ata thanë, ‘Shkoni përpara, na tregoni nëse ka ndonjë gjë me të cilën mund të ndihmojmë, jemi me ju, vetëm mos na kërkoni para.”- thotë Ahmed Ali.

Ekipi i Somalilandit luajti ndeshjen e tij të parë miqësore në vitin 2014. Një skuadër kryesisht amatore, duke përfshirë trajnerin që me profesion ishte dhe një administrator spitali, konkurruan në Kupën e Futbollit Botëror të vendeve të panjohura në vitin 2016 në Abkhazi, një rajon pjesërisht i njohur i shkëputur nga Gjeorgjia.
Por për tre misionarët që kanë lënë Anglinë për të ngritur futbollin në vendin e tyre, ky është vetëm hapi i parë i asaj që ata duan të arrijnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




