Nga Gazeta ‘Si’-David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po “e ndihmojnë Serbinë” dhe “po bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën”.
Kanin i referohet vendimit që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, si dhe atij për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin shqetësime në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, thotë Kanin në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Një ditë më herët, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara me vendimin e saj për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb.
Kanin thotë se kjo “do të thoshte shumë, pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës”.
Ai nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve, por thekson se SHBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.
Kanin thotë se Kosova do të duhej ta shtynte sa më shumë që është e mundur zbatimin e vendimit për dinarin, ose ta revokonte tërësisht.
I pyetur pse pati një reagim kaq të fuqishëm nga SHBA-ja ndaj vendimeve të Kosovës, Kanin përgjigjet se kjo është një tjetër dëshmi e antipatisë së tyre ndaj Kurtit dhe dëshirës që ai të jetë jashtë.
“Mesazhi ynë për Kosovën është se partneriteti ynë kërcënohet nga veprimet e ndryshme që ai ndërmerr. E kemi pasur të njëjtën ndjenjë kur i ka detyruar kryetarët shqiptarë të komunave të vendosen në veri.
Por, kini parasysh kontekstin e saj – Shtetet e Bashkuara dhe evropianët janë tërësisht të fokusuar në Gazë, në Ukrainë dhe në një sërë problemesh me Kinën. Gjëja e fundit që dëshiron ndonjë ndërkombëtar, janë telashet në Ballkan. Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin shqetësim në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, deklaroi ai.
I pyetur se çfarë do të thoshte për Kosovën humbja e partneritetit amerikan, ai shton se nuk do të shkojë aq larg sa të ndërpresë marrëdhënien e tyre.
“Nuk mendoj se do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën. Nuk do ta tërheqim njohjen e sovranitetit të saj, nuk do t’i japim leje Serbisë për ta pushtuar. Nuk mendoj se pohimet e SHBA-së se është mbrojtëse e Kosovës, do të ndryshojnë.
Mendoj se çështja më e rëndësishme, sinqerisht, është vështirësia që Kurti do të ketë me imponimin [e masës për dinarin], ashtu siç e ka pasur me kryetarët e komunave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



