Nga Gazeta ‘Si’-Teksa po vihet re një përshkallëzim i ndjeshëm i kërcënimeve të Rusisë ndaj aleatëve të NATO-s, deklaratat e fundit të Donald Trump, kanë ngritur sërish pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e sigurisë transatlantike, në rast se ai do të arrijë të fitojë zgjedhjet në nëntor.
Trump deklaroi hapur gjatë një tubimi elektoral:”Një nga presidentët e një vendi të madh evropian u ngrit dhe më pyeti:”Zotëri, a do të na mbroni, edhe nëse ne nuk paguajmë por sulmohemi nga Rusia? Unë iu përgjigja “Nuk ke paguar, atëherë keni shkelur paktin midis nesh?” Ai tha:”Le të themi se kjo gjë ka ndodhur”. Dhe unë i ktheva “Jo, nuk do t’iu mbroja.
Në fakt, do t’i inkurajoja rusët të bëjnë çfarë të duan. Ju duhet të paguani detyrimet tuaja!”.
Fjalët e tij në tubimin e Conway në Karolinën e Jugut më 10 shkurt, mund të lexohen vetëm si kërcënuese për aleatët dhe inkurajuese për Rusinë që të sulmojë anëtarët e NATO-s, të cilët nuk përmbushin “detyrimet e tyre për shpenzimet në mbrojtje”. Ky koment, tronditi të gjithë Evropën por jo vetëm, duke nxitur kritika të forta nga aleatët tashmë nervozë me sjelljet e ish-presidentit.
Disa mund t’i interpretojnë komentet e Trump si shashka për konsum elektoral. Në fakt, ato janë deklarata të një kandidati presidencial, dhe sigurisht që do të ngjallin frikën se axhenda e tij e vërtetë është të dobësojë dhe zhbëjë aleancën deri më sot tejet të suksesshme, në dëm të kontinentit evropian.
Ne mund të mos e dimë asnjëherë, nëse biseda e supozuar e Trump ka ndodhur vërtetë, por një gjë është e sigurt:gatishmëria e tij e dukshme për t’u afruar sërish me Vladimir Putinin, një i kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte, dhe ndoshta për të dërguar një mesazh edhe më alarmues.
Siç e dimë, protagonistët e fushatave dezinformuese të Putinit, kanë bërë përpjekje të mëdha për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të viteve 2016 dhe 2020 . Teksa Trump po synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, dhe në mesin e gjyqeve të shumta me të cilat po përballet, apeli i tij drejtuar Rusisë, nënvizon emergjencën e trajtimit të ndërhyrjes së huaj në institucionet tona demokratike.
Rreziku i një udhëheqësi që dëshiron të sakrifikojë stabilitetin ndërkombëtar për përfitimet e tij të ngushta personale, duhet të jetë shumë alarmues, dhe një paralajmërim për atë që mund të na presë nëse zgjedhjet do të fitohen sërish nga Trump.
Thirrjet e Trump, që SHBA-ja të heqë dorë nga angazhimet e kahershme ndaj mbrojtjes kolektive, të sanksionuara edhe në traktatin e NATO-s, dërgojnë një mesazh rrëqethës, sidomos për anëtarët e NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore, të cilët e ndjejnë shumë kërcënimin e agresionit rus.
Në fakt, një sjellje e tillë nuk është e re. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 por edhe gjatë presidencës së tij, Trump e vuri vazhdimisht në pikëpyetje vlerën e NATO-s, dhe ngriti dyshime mbi gatishmërinë e Amerikës për të respektuar detyrimet e saj bazuar tek traktati themeltar.
Ndërsa presidenti aktual Joe Biden është përpjekur të riparojë dëmin e shkaktuar në marrëdhëniet transatlantike, komentet e fundit të Trump shërbejnë si një kujtesë e pasigurisë që rrethon politikën e jashtme të SHBA-së. Dashuria e Trump për Kremlinin, i ka rrënjët që nga koha e Bashkimin Sovjetik.
Në vitin 1987, menjëherë pas kthimit nga një vizitë që bëri në BRSS, Trump pagoi një reklamë 1-faqëshe në gazetat kryesore, ku sulmoheshin aleatët dhe aleancat e Amerikës. Në dekadat që pasuan, Trump vazhdoi të përfshihej në marrëveshje fitimprurëse me zyrtarë rusë dhe figura të mafies, të cilët dyshohet se ishin burimi i një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të krijuara nga pronat e tij.
Por ashtu si në vitin 2016, sot ekziston rreziku që media të fokusohet më shumë tek mosha e madhe e presidentit Biden, duke kaluar në plan të dytë deklaratat gjithnjë e më alarmante që vijnë nga Trump. Le të jemi të qartë mbi një gjë:NATO-ja e përbërë vetëm nga vendet evropiane nuk gati të luftojë, edhe pse kohët e fundit ka pasur një rritje e shpejtë të shpenzimeve për mbrojtjen.
Kalimi i Rusisë në një ekonomi lufte është një sinjal i vërtetë alarmi. Gjatë javëve të fundit, Inspektori i Përgjithshëm i ushtrisë gjermane, Bundeswehr, gjeneral-lejtnant Carsten Breuer deklaroi se forcat e armatosura të Gjermanisë, duhej të përgatiten për një luftë brenda 5 viteve të ardhshme.
Zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë, kanë deklaruar se kjo mund të ndodhë brenda 3 vjetësh. Në Baltik, Letonia, Lituania dhe Estonia kanë ndërmarrë hapa pro-aktivë për të forcuar mbrojtjen e tyre, duke nënshkruar një marrëveshje për të krijuar një linjë të përbashkët mbrojtëse përgjatë kufirit lindor të NATO-s.
Po ashtu, komandanti i lartë i ushtrisë britanike, gjenerali Patrick Sanders, ka bërë thirrje për një “ushtri qytetare” dhe për gatishmërinë për të zhvilluar një luftë tokësore, duke përmendur luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës. Ndërkohë, paraliza e politikës së jashtme të SHBA-së ndaj Ukrainës nga Partia Republikane, me urdhrin e drejtpërdrejtë të Trump, do të sjellë pasoja të tmerrshme për aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur kundër agresionit rus dhe ndaj sulmeve të përditshme.
Me ndërprerjen e ndihmës së SHBA-së që nga tetori i vitit të kaluar, Ukraina po përballet me një mungesë serioze të municioneve dhe armëve, duke i detyruar trupat të racionojnë burimet, dhe duke shkaktuar një rritje alarmante të numrit ditor të viktimave nga sulmet ruse.
Kjo braktisje, po sjell jo vetëm shtimin e viktimave në radhët e ukrainasve, por po ashtu po inkurajon edhe ambiciet ekspansioniste të Putinit, duke paraqitur një kërcënim të madh për stabilitetin rajonal dhe për sigurinë kombëtare dhe globale të SHBA-së.
Por përveç sabotimit të ndihmës ndaj Ukrainës, besnikët e Trump në Kongres vazhdojnë të ndërmarrin hapa për të ndërprerë angazhimet tona jashtë vendit. Vitin e kaluar, deputetja e ekstremit të djathtë Majorie Taylor Greene paraqiti një amendament në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, duke kërkuar tërheqjen e SHBA-së nga NATO.
Dashuria e vazhdueshme e një presidentit të mundshëm të SHBA-së ndaj Rusinë, dhe veprimet e tij përçarëse në skenën ndërkombëtare, së bashku me fokusin jo-proporcional të medias në çështje të parëndësishme, duhet të na shqetësojnë të gjithëve.
Donald Trump po vazhdon të ndërhyjë dhe të dëmtojë politikën e jashtme të administratës Biden. Deklaratat dhe veprimet e tij skandaloze, përbëjnë një rrezik shumë më të madh se sa mosha e madhe e Joe Biden.
Burimi: Center for European Policy Analysis/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




