Drejtësia

Akuzohet për 7 raste korrupsioni, SPAK çon në gjyq dosjen ndaj mjekut Edvin Prifti

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka mbyllur pas 4 vitesh hetimet për mjekun e QSUT, Edvin Prifti dhe ka dërguar çështjen e tij për gjykim.

Sipas SPAK, kirurgu Prifti akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” në 7 (shtatë) raste, me 4 akuza: “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga hetimet nga rezultuar se Edvin Prifti gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, “të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza'”, – konfirmon SPAK.

Në momentin e arrestimit gjatë kontrollit të ushtruar në banesë dhe në zyrë, atij i janë gjetur dhe sekuestruar 56.800 euro, 7.600 dollarë dhe 15.435.000 lekë, shuma parash të cilat mjeku nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme dhe dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale.

Ndaj Priftit, është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar dhe në përfundim janë sekuestruar në 6 llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë. Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë: 434 319 Euro, 67 914 368 Lekë, si dhe 7 600 USD.

Hetimi ka provuar se, i pandehuri prej vitit 2018, e në vijim, ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregtare, të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore etj., fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore.

Edvin Prifti është pajisur me fatura fiktive, të cilat pasqyrojnë blerjen fiktive të sendeve dhe paisjeve mjekësore nga subjektet tregtare në emër të tij, me qëllim rrijtjen e kostove dhe shmangien nga detyrimet tatimore, por edhe për të justifikuar shumat e derdhura Cash në llogaritë e këtyre bizneseve, shuma të cilat më pas janë tërhequr prej tij, dhe janë depozituar në llogaritë personale.

Në këtë mënyrë ai ka justifikuar burimet e të ardhurave, pa origjinë të ligjshme të cilat megjithatë nuk janë justifikuar plotësisht.

Sipas SPAK, në sajë të detyrës së tij, si Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, pasi ka përfituar një Grant në shumën 8,973 USD, nga një fondacion me qëllim financimin e një projekti që do të implementohej në Shërbimin ku ai drejtonte, rezulton se nuk ka investuar të gjithë shumën monetare të Grantit, por i ka përfituar për interesa personale.

Më 13 shkurt të 2021, Edvin Priftit i vunë prangat në sallën e gjyqit. Kërkesa e firmosur atëherë nga prokurori Altin Dumani, sot kreu i SPAK u bë gjatë seancës gjyqësore nga prokurorët, pasi mjekut të njohur i ishin gjetur në banesë dhe në zyrën e tij 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë të reja.

Prifti akuzohet se mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.

Mallakuçi ishte nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani nga ish-gjyqtarja Enkeleida Hoxha, por që nuk u lejua nga SPAK, duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.

Në një prej shumë bisedave, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj në këmbim të parave.

Ai shpesh herë ka kërkuar lirimin e llogarive bankare, duke deklaruar se i ka të justifikuara, por Gjykata e Lartë e ka rrëzuar kërkesën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë