Gazeta Si – Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar përshpejtimin e vendimit nga ana e kësaj gjykate të kërkesës së tij në lidhje me betimin.
“Ju drejtohem Ju që jeni gardianët e Kushtetutës, që të dëgjoni lutjen time dhe të banorëve të Himarës për caktimin e një date sa më të shpejtë të gjykimit të kërkesës time, duke parë që ka kaluar kohë e gjatë prej 1 viti që pushteti qendror ka cenuar të drejtën e zgjedhjeve në Himarë”, thuhet midis të tjerash në kërkesë.



Kërkesa e Belerit vjen pak ditë, pasi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese tha gjatë një konferencë për mediat se nuk kishin kërkesë nga palët për përshpejtim të procesit.
Në përballjet e tij në Kushtetuese Beleri pretendon antikushtetueshmëri në mosdhënies së lejes së posaçme për t’u betuar si kryebashkiak, si edhe për arrestimin e tij në flagrancë e lënien e tij në “arrest në burg”.
Nesër (e martë, 13 shkurt), në seancën e radhës ndaj Belerit në Gjykatën e Posaçme, SPAK pritet të lexojë pretencën ndaj tij.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, nën akuzën e shitblerjes së votave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




