Nga Karin Modig “Science Alert”– Dikur njerëzit që jetonin mbi 100-vjeç konsideroheshin si raste shumë të rralla. Por ato janë bërë më të zakonshme. Në fakt, ata janë grupi demografik me rritjen më të shpejtë të popullsisë së botës, dhe numri i tyre dyfishohet afro çdo 10 vjet që nga vitet 1970.
Çështjet se sa kohë mund të jetojnë njerëzit, dhe se çfarë e përcakton një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, kanë qenë me interes prej shumë kohësh. Platoni dhe Aristoteli diskutuan dhe shkruan mbi procesin e plakjes mbi 2300 vjet më parë. Megjithatë, kërkimi për të kuptuar sekretet që fshihen pas jetëgjatësisë së jashtëzakonshme nuk është aspak i lehtë.
Këtu përfshihet zbulimi i ndërveprimit kompleks të predispozicionit gjenetik dhe faktorëve të stilit të jetesës, dhe mënyra se si ato ndërveprojnë gjatë gjithë jetës së një personi. Studimi ynë i fundit, i botuar në GeroScience, ka zbuluar disa parametra biologjikë të zakonshëm, përfshirë nivelet e kolesterolit dhe glukozës, tek njerëzit që jetojnë mbi të 90-at.
Njerëzit që jetojnë shumë më tepër se të tjerët, kanë nxitur prej kohësh interesin e madh të shkencëtarëve, pasi ata mund të na ndihmojnë të kuptojmë se si të jetojmë më gjatë dhe ndoshta edhe se si të plakemi duke pasur një shëndet më të mirë. Deri më tani, studimet mbi 100-vjeçarët kanë qenë shpesh në shkallë të vogël dhe të fokusuara tek një grup i përzgjedhur.
Për shembull, duke përjashtuar ata që jetojnë në azil. Studimi ynë është më i madhi deri më sot, dhe krahason profilet e parametrave biologjikë të matur gjatë gjithë jetës midis njerëzve jashtëzakonisht jetëgjatë dhe bashkëmoshatarëve të tyre jetëshkurtër.
Ne krahasuam profilet e parametrave biologjikë të njerëzve që vazhduan të jetonin pas moshës 100 vjeç, dhe bashkëmoshatarëve të tyre më jetëshkurtër, dhe hetuam lidhjen midis profileve dhe mundësinë për t’u jetuar mbi 100-vjeç. Hulumtimi ynë përfshiu të dhëna nga 44.000, suedezë që iu nënshtruan vlerësimeve shëndetësore në moshën 64-99 vjeç.
Ata u ndoqën përmes të dhënave për deri 35 vite. Nga këta njerëz, 1224, ose 2.7 për qind, jetuan mbi 100 vjeç. Shumica dërrmuese (85 për qind) e mbi 100-vjeçarëve ishin gra. U përfshinë 12 parametra biologjikë në gjak, që lidhen me inflamacionin, metabolizmin, funksionin e mëlçisë dhe veshkave, si dhe kequshqyerjen e mundshme dhe aneminë.
Të gjitha këto ishin të lidhura me plakjen ose vdekshmërinë në studimet e mëparshme. Parametri i lidhur me inflamacionin ishte acidi urik, një produkt i mbeturinave në trup i shkaktuar nga tretja e ushqimeve të caktuara. Po ashtu ne vëzhguam parametrat që lidhen me statusin dhe funksionin metabolik, përfshirë kolesterolin total dhe glukozën, dhe ato që lidhen me funksionin e mëlçisë, si alanine aminotransferaza (Alat), aminotransferaza aspartate (Asat), albumina, gama-glutamil transferaza (GGT), fosfataza alkaline. (Alp) dhe laktat dehidrogjenaza (LD).
Gjithashtu, ne analizuam nivelin e kreatininës, e cila është e lidhur me funksionin e veshkave, dhe hekurin dhe kapacitetin total të hekurit (TIBC), që nga ana e saj është e lidhur me aneminë. Së fundi, ne vëzhguam nivelin e albuminës, një parametër që lidhet me ushqimin. Ne zbuluam se në përgjithësi, ata që arritën të festonin ditëlindjen e tyre të 100-të, kishin prirje të kishin nivele më të ulëta të glukozës, kreatininës dhe acidit urik që nga të 60-at e tutje. Megjithëse vlerat mesatare nuk ndryshonin ndjeshëm midis 100-vjeçarëve dhe të tjerëve që jetojnë shumë më pak për shumicën e parametrave, të parën shfaqnin rrallë vlera jashtëzakonisht të larta ose të ulëta.
Për shembull, shumë pak nga 100-vjeçarët kishin një nivel glukoze mbi 6.5 në vitet e mëhershme, apo një nivel kreatinine mbi 125. Për shumë nga parametrat biologjikët, të dyja kategoritë (100-vjeçarët dhe të tjerët), kishin vlera jashtë kufijve të konsideruar normalë në udhëzimet klinike.
Dhe kjo me gjasë sepse këto udhëzime janë vendosur, bazuar në një popullsi më të re dhe më të shëndetshme. Kur u përpoqëm të kuptonim, se cilët parametra lidheshin me gjasat për të arritur 100-vjeç, ne zbuluam se të gjithë, përveç dy (alati dhe albumina) nga 12 parametrat treguan një lidhje me mundësinë e njeëzve për të arritur moshën mbi 100 vjeç.
Kjo ishte e vërtetë edhe pas llogaritjes së moshës, gjinisë dhe sëmundshmërisë. Njerëzit në grupet e renditura më poshtë nga 5 grupet gjithsej për nivelet e kolesterolit total dhe hekurit, kishin një shans më të vogël për të arritur 100 vjet në krahasim me ata me nivele më të larta. Ndërkohë, njerëzit me nivele më të larta të glukozës, kreatininës, acidit urik dhe parametrave optimalë për funksionin normal të mëlçisë, e ulnin shansin për të arritur 100-vjeç.
Në terma absolutë, dallimet ishin shumë të vogla për disa nga parametrat, ndërsa për të tjerët ndryshimet ishin disi më thelbësorë. Për shembull për acidin urik, diferenca absolute ishte 2.5 për qind. Kjo do të thotë se njerëzit në grupin me acidin urik më të ulët, kishin 4 për qind shanse të arrinin 100 vjeç.
Ndërsa tek ata në grupin me nivelet më të larta të acidit urik, vetëm 1.5 për qind arritën moshën 100 vjeç. Edhe nëse ndryshimet që zbuluam ishin në përgjithësi mjaft të vogla, ato sugjerojnë një lidhje të mundshme midis shëndetit metabolik, ushqimit dhe jetëgjatësisë së jashtëzakonshme.
Gjithsesi studimi, nuk lejon të arrihet në asnjë përfundim mbi cilët gjene apo faktorë të stilit të jetesës janë përgjegjës për vlerat e parametrave biologjikë. Megjithatë, është e arsyeshme të mendohet se një rol luajnë faktorë të tillë si ushqimi dhe konsumi i alkoolit.
Ndoshta ruajtja e vlerave normale në veshka dhe mëlçi, por edhe të glukozës dhe acidit urik nuk është një ide e keqe. Thënë këtë, rastësia luan me gjasë një rol në një moment në arritjen e një moshe të jashtëzakonshme. Por fakti që ndryshimet tek parametrat biologjikë mund të vërehen shumë kohë përpara vdekjes, sugjeron se një rol mund të luajnë gjene dhe mënyra e jetesës. sciencealert / Pershtati ne shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



