Ka ndodhur

Kurbin / Vrasja e ekonomistit të një firme, Policia: Objektiv i atentatit ishte pronari që mbeti i plagosur

Nga Gazeta Si- Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur mëngjesin e sotëm në Kurbin. Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, është vrarë me armë zjarri shtetasi Selman Mihana, rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari shtetasi Ardjan Gjeloshi, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjeksore.

Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea.

Zëvendësdrejtori i Krimeve, Gentian Berberi ka dhënë detaje rreth ngjarjes duke thënë se po hetohen mosmarrëveshjet që mund të ketë pasur pronari i firmës, i cili mbeti i plagosur.

“Sot është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Ardjan Gjeloshi si pasojë e të shtënave me armë humbi jetën një 70-vjeçar. Kemi ndihmën e departamentit të policisë kriminale, jemi në veprimet e para. Dyshohet se është qëlluar me automatik. Autorët mendohet se kanë lëvizur me një mjet, po hetojmë hetimet, mosmarrëveshjet që ka pasur objektivit, pronari i firmës, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.”, tha zv.drejtori i krimeve, Gentian Berberi.

Atentati ka ndodhur në sy të rojes së objektit.

Ai ndodhej tek porta kryesore kur autorët, të cilët kanë lëvizur me automjet, kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt viktimës dhe biznesmenit, teksa po hynin brenda ambienteve të zyrës.

Autorët e krimit mësohet se kanë qëlluar nga muri rrethues i objektit. Ndërkohë e firma e përpunimit të inerteve është e monitoruar me kamera sigurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë