Rend dhe Ligj

Vrasja në Kurbin dyshohet për vrasës me pagesë. Dinamika e ngjarjes dhe pistat ku po heton prokuroria

Gazeta Si - Ngjarja kriminale në Kurbin, ku mbeti i vrarë Selman Mihana, 70 vjeç, ekonomist i një firme inertesh dhe u plagos pronari i saj, Ardjan Gjeloshi, 51 vjeç, dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë.

Sipas burimeve paraprake, kanë qenë të paktë 4 persona, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në atentatin e ndodhur të shtunën rreth orës 07:00 të mëngjesit.

Mësohet se tre prej tyre, të kamufluar me të zeza, kanë hyrë në ambientet e biznesit duke kapërcyer rrethimin dhe më pas kanë hapur zjarr menjëherë në drejtim të viktimës dhe të plagosurit.

I katërti, në rolin e shoferit i priste në makinë dhe menjëherë pas krimit, janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja me një “Range Rover”.

“...Ndal policia, askush të mos lëvizë, jemi Policia....”,- kanë deklaruar disa prej tyre.

Në këto momente Ardian Gjeloshi ishte nën shoqërinë e ekonomistit të tij, Selman Mihana, duke i kërkuar këtij të fundit të dilte jashtë të shikonte kush ishin dhe çfarë kërkonin këta punonjës policie.

Sapo ekonomisti ka hapur derën, është ndeshur me dy breshëri automatiku në dy drejtime të ndryshme, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ndryshe siç ndodh rëndom në ngjarje kriminale të këtij lloji, këtë herë nuk është gjetur ndonjë mjet i djegur në zonën përreth, që zakonisht autorët e bëjnë për të fshehur gjurmët.

Në momentin e ngjarjes ka patur dhe punonjës të tjerë brenda kompanisë së inerteve, të cilët po shpërndaheshin për të nisur punën dhe kanë shpëtuar për mrekulli.

Sipas dëshmive të punonjësve të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes, njëri prej autoreve ka folur në gjuhë të huaj, por nuk kanë arritur ta kuptojnë se çfarë ka thënë.

Ndërkohë përgjatë 24-oreve policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, por dëshmia e tyre nuk e ka ndihmuar grupin hetimor në identifikimin e autoreve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë, tri janë pistat ku po heton prokuroria në lidhje me atentatin që sipas policisë kishte në shënjestër Ardian Gjeloshin.

Pista e parë janë konfliktet për biznesin me pjesëtarë të një fisi nga fshati Pllanë në Lezhë.

Si pistë të dytë, policia po heton atë të hakmarrjes. Në vitin 2002, është shënuar një ngjarje e rëndë, ku autor i dyshuar ishte Dritan Gjeloshi, vëllai i Ardian Gjeloshit, i cili në atë kohë kishte mosmarrëveshje me një oficeri policie.

Asokohe, autorët qëlluan mbi një kamionçinë dhe lanë të vrarë Marie Prengën, infermiere, nënë e 4 fëmijëve, ndërsa u plagos oficeri i FNSH-së, Kastriot Prenga, Gjergj e Vitore Prenga. Ndërsa pista e tretë, lidhet me plagosjen e djalit të Ardian Gjeloshit.

Sa i përket viktimës, Mihana, dyshohet se ai ka qenë në mbrojtje të pronarit të tij, duke iu dalë përballë atentatorëve për t’i larguar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë