Ne rrjet

Gjermani, ministrja e Jashtme Baerbock zbulon se kishte një gjysh nazist (dhe ‘plot dekorata’)

Detaje të reja dalin nga dosjet e Wehrmacht-it, të injoruara më parë, për jetën e gjyshit të saj. Waldemar, të cilin ministrja, shumë e përfshirë në luftën kundër ekstremit të djathtë, nuk e dinte

Gazeta Si – Çfarë dinë nipërit e mbesat për gjyshërit e tyre, edhe kur ata janë shumë të dashur? Sa mirë duhet t’i njohin ata? Dhe çfarë duhet të dijë dhe të thotë një ministre e Jashtme gjermane, gjyshi i të cilës ka luftuar në radhët naziste?

Kjo është ajo me të cilën do të duhet të përballet tani ministrja Annalena Baerbock, 43 vjeçe, e cila ishte shumë e afërt me gjyshin e saj Waldemar – i cili vdiq në moshën 103-vjeçare – aq sa e përmendte shpesh në fjalimet e saj.

E përjavshmja “Bunte” – e raportuar këtë mëngjes nga gazeta “Bild” në faqen e parë – kishte akses në dosjet e Wehrmacht-it (ushtrisë) së gjyshit të Baerbock-ut.

Dhe historia e tij, për të cilën ai gjithmonë refuzonte të fliste në familjen e tij, mund të ishte më e errët se sa dyshonin nipërit e mbesat e tij.

Waldemar Baerbock (1913-2016) ishte një inxhinier dhe më pas një oficer në një njësi që riparonte armët kundërajrore pas Frontit Lindor, në fushatën ruse.

Në dosjen e tij lexohet se ai ishte “nacional-socialist i pakushtëzuar”, dhe se ishte “plotësisht në pozicionet e Nacional-Socializmit”.

Tani është e vërtetë, siç vë në dukje edhe “Bild”, se dosjet e oficerëve pothuajse gjithmonë përfshijnë – nëse nuk janë ndëshkuar ose ulur në detyrë – shënime të ngjashme.

Megjithatë, karriera që ka pasur gjyshi i saj dhe dekoratat që ka marrë, nuk janë aspak të zakonshme. Në vitin 1944, Waldemar Baerbock iu dha Kryqi i Meritës së Luftës (Kriegsverdienstkreuz mit Schwertern).

“A e dinte këtë ministrja”?, – pyet “Bild”. Përgjigja nga zyra e Baerbock, është: “Këto dokumente nuk i ishin bërë të ditura”.

Por gazeta popullore këmbëngul: “A iu përmbajt ideve dhe lëvizjes së Hitlerit oficeri Baerbock”? A ishte ai tashmë, siç duket tani e besueshme, një nacional-socialist i viteve ’20-’30?

Këto janë pyetje me të cilat përballet pothuajse çdo familje gjermane. Në rastin e Baerbock-ut, një ministre me pozicione idealiste dhe një mbështetëse intransigjente e të drejtave të njeriut si metodë e politikës së jashtme – në të vërtetë, pozicione që dikur mund të përkufizoheshin si “ndërhyrje humanitare”, sipas linjave të demokratëve klintoniane – janë akoma më shumë përkatëse.

Refuzimi i plotë i pozicioneve të ekstremit të djathtë është një nga tiparet e saj dalluese dhe e ka parë atë të përfshirë në beteja të shumta. Ajo personalisht mori pjesë në demonstratat anti-Afd, Partia e Ekstremit të Djathtë në Gjermani.

Po në shtëpi? Dihet se tema e të shkuarës ishte një pyetje e hapur në familje. Babai i Annalena Baerbock kishte debatuar me babanë e tij, Waldemar për dekada, sepse ai nuk donte të fliste për veten dhe luftën.

Vetëm në fund të viteve ‘90, kur ekspozita e famshme e Wehrmacht-it (ushtarak) përshkoi Gjermaninë, duke u ndalur në shumë qytete – duke u bërë pothuajse një pasqyrë kolektive dhe duke lëshuar një lumë rindërtimesh dhe rrëfimesh – gjyshi i Annalena-s pranoi: “Kam qenë pjesë e Wehrmacht (Ushtria)”.

Annalena Baerbock bëhet kandidatja e të Gjelbërve për kancelare dhe më pas ministre e Jashtme në vitin 2021.

Gjyshi Waldemar nuk jeton më prej disa vitesh. Megjithatë, në librin “Ora”, me të cilin Annalena Baerbock prezantohet në Gjermani në moshën 41-vjeçare, një ambicie e papranueshme me përvojën që ka fituar, gjyshi Waldemar është shumë i pranishëm.

Një figurë e dashur dhe “stërvitëse”. Annalena tregon gjithashtu se si para se të vdiste, ai kishte shkruar një libër me historinë familjare për familjen e tij, duke përmendur luftën dhe dëbimin.

Gjyshi Waldemar ishte një nga gjermanët e shumtë që jetonin në Lindje, i cili pas vitit 1945 ishte dëbuar nga Sudetenlandi dhe pas një udhëtimi të gjatë në këmbë ndaloi në Frankfurt.

Në libër, ai u shkruan nipërve dhe mbesave të tij: “Sa me fat jeni që nuk e keni njohur luftën”. Ashtu si shumë libra dhe pothuajse të gjitha autobiografitë, as ai nuk është përfundimtar.

Gjyshi i ministres gjermane nuk sqaron dhe nuk thotë nëse shërbimi në ushtri ishte i “detyruar” apo sa të përzemërta dhe të vërteta ishin idealet e tij për Hitlerin. Nëse gjyshi donte të thoshte diçka për veten e tij, ai nuk i zbuloi kurrë sekretet e familjes Baerbock.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë