Politike

Manja: Kush përfiton nga amnistia. Gati të pranojmë propozimin e Alibeajt

Nga Gazeta ‘SI’ - Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka prezantuar sot projektligjin për Amnistinë Penale, në komisionin online të Çështjeve Ligjore.

Sipas Manjës, ligji i Amnistisë ka për qëllim të ndihmojë të dënuarit e mitur dhe gratë më së shumti, por është i domosdoshëm edhe për shkak të mbipopullimit në burgje dhe rritjes së eficiencës në këto institucione.

Ai tregoi kategoritë që përfitojnë nga Amnistia, rreth 700 të burgosur e 2 500 në shërbim prove si edhe ata që përjashtohen.

“Nga Amnistia do të përfitojnë të dënuarit burra që janë dënuar me 3 vite burg, ose që i kanë mbetur dhe 3 vite burg. Gratë që janë dënuar deri në 4 vite ose që i kanë mbetur dhe 4 vite. Përfitojnë gratë që janë +50 vjeç dhe burrat +60 vjeç në momentin që hyn ligji në fuqi. Të gjithë të miturit që kanë kryer krime” sqaroi ministri i Drejtësisë.

Manja theksoi se nga Amnistia janë përjashtuar veprat me rrezikshmëri të lartë, vrasja, plagosja e rëndë, dhuna në familje, terrorizmi, shpërdorim detyre, korrupsion dhe të gjitha veprat penale që lidhen me shpifjet, ndërhyrjet në jetën privatet etj.

Të përjashtuar nga amnistia, sipas Manjës, janë edhe ata që kanë ndërtuar në tokën e tjetrit ose në tokën shtetërore.

Lidhur me mbipopullimin e burgjeve, ministri Manja tha se Amnistia është e vetmja mënyra për të menaxhuar këtë sistem.

“Jemi plus 190 të paraburgosur dhe të dënuar më shumë sesa kemi kapacitete. Nëse kemi 5.818 të paraburgosur dhe të dënuar kapacitetet tona janë plus 190 më shumë. Referuar standardeve të BE, nuk do duhet të kishim këtë numër personash të paraburgosur. 2204 kemi të dënuar dhe po t’u referohemi standardeve të BE do duhet të kishim 30% si maksimum të numrit të paraburgosurve në raport me të dënuarit. 180 me burgim të përjetshëm. Nuk përfshihen ata që janë në shërbim prove, 11.290 persona. Jemi tek 2500 persona të paraburgosur më shumë sesa standardet e BE. Jemi mbi kapacitetet. Amnistia është një masë e domosdoshme për të menaxhuar këtë sistem, që është në gjendje mbipopullimi”, tregoi ministri.

Deputeti i PD-së zyrtare, Enkelejd Alibeaj prezantoi shkurtimisht dhe amendamentin e propozuar nga ai, që synon përfshirjen e protestuese (vitet 2018-2020) në Amnistinë Penale.

Nga ana e tij, ministri Manja u shpreh i hapur per ta marre ne konsiderate propozimin e Alibeajt.

"Organizimi i grumbullimeve e manifestime të paligjshme me pjesëmarrje të paligjshme të personave të  armatosur, pra 261, 262, 263 që kanë të bëjnë me tubimet. Nga të dhënat që disponojmë janë afërsisht 100 persona të dënuar, kryesisht me shërbim prove. Në variantin sic është përfitojnë 2500 persona që janë në shërbim prove dhe përfshihet dhe kjo kategori.

Ajo që ka të bëjë me ndjekjen penale, sepse një pjesë janë ende në hetim apo në gjykim dhe nuk ka marrë vendimi I formës së prerë. Kemi kërkuar të dhëna për këtë kategori shumë shpejt do e vëmë në dispozicion. Janë në kategori përfituese.

Lidhur me ndjekjen penale do e shohim amendamentin që ka depozituar Alibeaj por jam dakord që kjo kategori personash qoftë të dënuar apo në ndjekje penale që kanë të bëjnë me liri politike të qytetarëve pse jo nëse merr votën e deputetëve nuk kemi kundërshtim", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë