Drejtësia

Ligjet miratojnë Amnistinë Penale. Drafti fillestar pëson disa ndryshime

Nga Gazeta ‘SI’ - Në komisionin online për Ligjet vazhdon diskutimi për Amnistinë Penale, ku edhe nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj ka bërë disa propozime.

Felaj sugjeron që nga amnistia të përfitojnë personat me dëmtime të përhershme dhe ata të cilët vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, të dënuar që sipas saj nuk janë në një numër modest.

“Sugjeroj që meqë në burgje dhe në spitalin e burgut ka të dënuar me sëmundje të pashërueshme, të bëhet një amnisti e këtyre personale. Kjo kategori nuk më rezulton që është një numër i vogël i të dënuarve të tillë. Propozim tjetër është që ne falim 4-5 vite burg për të dënuarin, në nenin 5 mos përfshihen vetëm vepra që dënohen deri në 2 vite, por edhe ata që janë deri në 3 vite që janë vepra jo me rrezikshmëri të lartë” tha Felaj.

Një ndër ndryshimet e reja në draft është edhe përfshirja e më shumë të dënuarëve. Në versionin e parë Amnistia përfshinte burrat që janë dënuar me 3 vite burg, ose që i kanë mbetur dhe 3 vite burg, tani është bërë 4 vite. Gratë që janë dënuar deri në 4 vite ose që i kanë mbetur dhe 4 vite dhe tani është bërë 5 vite.

Deputeti socialist Plarent Ndreca tha se të gjithë të dënuarit do të përfitojnë një ulje të dënimit, përveç atyre që kanë kryer krime kundër jetës dhe funksionarëve të lartë. Ai shtoi se politikanët janë të përjashtuar nga Amnistia për vepra që lidhen me pozitën e tyre, por jo për vepra që mund t'i bëjë kushdo.

Ndërkohë, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi më shumë kohë për të studiuar propozimet e reja, por Ermonela Felaj bashkë me socialistët e tjerët, thanë se drafti ka tre muaj që është në pritje dhe nuk mund të zgjatët më tej.

Në përfundim të mbledhjes së komisionit, të pranishmit e miratuan nen për nen projektligjin e Amnistisë Penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë