Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria nënshkroi këtë të hënë një marrëveshje me kompaninë 4iG për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një projekt me impakt të fortë që do ta kthejë Shqipërinë në një nyjë të rëndësishme.
“Në pamje të parë, projekti nuk ka shifra marramendëse, por në thelbin e vet projekti është një projekt marramendës për nga impakti dhe për nga vlera që do të krijojë. Kështu që, duke ju falënderuar edhe njëherë të gjithë vendimmarrësit dhe skuadrën e kompanisë 4iG si dhe duke pasur besim të plotë se pala jonë do të jetë në lartësinë e duhur në të gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe pastaj të jetësimit të tij përmes vënies në funksion të kësaj autostrade. Jam i bindur që ky projekt shënon një gur kilometrik në rrugën tonë drejt Shqipërisë 2030 dhe pa diskutim do të pasohet nga të tjerë projekte të përmasave dhe ambicies së këtij niveli, që tanimë përkon me nivelin e ri në të cilin ndodhet vendi ynë ”, u shpreh kryeministri Rama për marrëveshjen.
Duke e quajtur një projekt që do ta kthejë Shqipërinë në një faktor ndërkombëtar, zv.kryeministrja Belinda Balluku dha më shumë detaje nga projekti, që do të kushtojë rreth 115 mln euro.
“Nga ana e Egjiptit do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujorë të juglindjes mes Detit të Kuq dhe Azisë, sigurisht dhe Afrikës, të cilave i shtohen 10 rrugëve tokësore transegjiptiane që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të Detit Mesdhe. Egjipti luan rolin e një nyje ndërkombëtare të të gjithë autostradave dixhitale. Për Shqipërinë sistemi do të ofrojë rrugën me të shkurtër për në Frankfurt si dhe destinacione të rëndësishme për trafikun dixhital europian, duke lidhur njëherë e mirë Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit. Investimi i cili vlerësohet nga 100 deri në 115 milion euro është i mirëpritur nga qeveria shqiptare, duke shkuar në të njëjtën linjë me politikat që ne kemi për zhvillimin e teknologjisë dhe të dixhitalizimit në vendin tonë”, tha zv.kryeministrja Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.