Nga Gazeta ‘Si’-Përplasja fshat-qytet bart diçka unike dhe tepër joshëse. Në një epokë ku banorët urbanë dhe ata ruralë bëjnë kryesisht jetë të ndara, pamja e traktorëve dhe mjeteve të tjera që përdoren në një fermë dhe e bagëtive që hyjnë në rrugët e qytetit zakonisht të pastra, nxit një lloj kurioziteti që shoqërohet megjithatë edhe me bezdi.
Një përplasje e tillë u pa së fundmi në Bruksel, ku mbi 1200 traktorë u mblodhën të enjten premten para selisë së Parlamentin Europian. Protesta i drejtohej udhëheqësve evropianë që merrnin pjesë në një takim të posaçëm jo shumë larg prej andej, dhe skenari që pasoi ndoqi një trajektore tashmë të njohur.
Fermerët ndezën zjarre, sulmuan statujat, hodhën pleh organik në rrugë dhe qëlluan policinë me objekte të ndryshme. Kjo e fundit, e pajisur me të gjitha mjetet për përballimin e protestave, i goditi me shkopinjtë e gomës para se të niste të përdorte ujin me presion.



Ishte një nga shfaqjet më të mëdha dhe më ashpra të forcës nga ana e fermerëve evropianë gjatë muajve të fundit. Por nga ana tjetër nuk ishte një protestë e izoluar. Sepse kur fermerët belgë zbritën në Place du Luxembourg të kryeqytetit Bruksel, homologët e tyre francezë po rrethonin Parisin, duke kërcënuar se do ta “vdisnin urie” qytetin për ta detyruar qeverinë qëndrore që të plotësojë kërkesat e tyre.
Që nga vera e vitit të kaluar, ka pasur qindra protesta të fermerëve në Spanjë, Portugali, Gjermani, Holandë, Rumani dhe Poloni. Këto shfryrje dufi nga banorë të zonave rurale, janë kombinuar me sondazhet që tregojnë një mbështetje në rritje për ato që quhen si partitë dhe politikanët populistë.
Dy palë zgjedhje parlamentare në fund të vitit të kaluar – në Sllovaki dhe Holandë – ku politikanët populistë dolën në krye, treguan qartë rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve në vendet e Bashkimit Europian.
Më pas, vetëm gjatë 2 javëve të fundit, shumë gjermanë u tronditën kur mësuan se një pjesë e drejtuesve të partisë së ekstremit të djathtë, Alternative fur Deutschland (AfD), ishin takuar fshehurazi për të diskutuar ndër të tjera edhe mundësinë e riatdhesimit të njerëzve të cilësuar si ‘emigrantë të paasimiluar’, edhe nëse ata kanë marrë nënshtetësinë gjermane.
Tani nuk mendohet se ekziston ndonjë shans që ky propozim të zbatohet si një politikë, madje edhe nga vetë AfD-ja. Po ashtu, ideja radikale është dënuar ashpër nga politikanë gjermane të partive të vjetra, si dhe ka shkaktuar protesta të mëdha në rrugë.
Por të gjitha këto zhvillime – nga numri i protestave të fermerëve, deri tek mbledhja e fshehtë e AfD-së – mbështesin pikëpamjen se Europa po hyn në një periudhë të re revolucioni, ndoshta të ngjashme me atë të vitit 1848; dhe tendenca drejt një bashkëpunimi gjithnjë e më të ngushtë europian që lindi BE-në, mund të jetë duke arritur fundin e saj.
Madje unë as që jam e bindur se ka kaq shumë pika për t’u bashkuar. Megjithatë, ekziston një kontekst i përgjithshëm, i cili mund të jetë të paktën po aq i rëndësishëm sa çdo zhvillim tjetër, dhe ndoshta më shumë. Këtë vit, do të ketë zgjedhje në Portugali, Belgjikë dhe Austri, të cilat mund të prodhojnë ndryshime; dhe në të gjithë BE-në në qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Qeveritë në Francë dhe Gjermani, po tregojnë shenja dobësie. Presidenti Macron sapo ka bërë ndryshime në krye të qeverisë së tij, dhe stabiliteti i koalicionit gjerman mund të jetë në pikëpyetje. Qofshin ato lokale, kombëtare apo evropiane, zgjedhjet – apo qeveritë e përçara – ofrojnë të gjitha llojet e mundësive për lobim, tubim dhe degradim të plotë, dhe kjo është me siguri të paktën një pjesë e asaj që po shohim me zjarret e ndezura para Parlamentit Evropian.
Për më tepër, fermerët mund të jenë lobi i vetëm më i fuqishëm i BE-së. Ata kanë aktualisht dy shqetësime të përbashkëta. Njëri – fokusi kryesor i protestave të Brukselit dhe Parisit – është ajo që ata e shohin si një burokraci gjithnjë e më ndërhyrëse të BE-së, dhe ku të paktën disa prej të cilave pasqyrojnë axhendën mjedisore të BE-së.
Pra ankesat e tyre tingëllojnë me një shqetësim më të gjerë publik në shumë vende, mbi çmimet e karburantit dhe koston e imponuar ndaj konsumatorëve nga politikat “e gjelbra”, që sipas disave nuk kanë një konsensus të mjaftueshëm popullor.
Shqetësimi tjetër mund të përmblidhet me një fjalë: Ukraina. Një pjesë e ndihmës së BE-së për Ukrainën, ka marrë formën e importeve të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore që nuk mund të eksportohen më në Rusi apo në vende të tjera që lagen nga deti.
Megjithatë, shumë fermerë në vendet e BE-së e konsiderojnë këtë si një konkurrencë të padëshiruar dhe të pandershme. Madje ajo u shndërrua në një çështje gjatë fushatës zgjedhore si në Sllovaki ashtu edhe në Poloni vitin e kaluar, dhe mbetet e diskutueshme në lidhje me kostos e vazhdueshme të ndihmës për Ukrainën.
Në disa aspekte, ky është një paralajmërim mbi vështirësitë që ka të ngjarë të paraqesë anëtarësimi i propozuar i Ukrainës në Bashkimin Europian, kur dhe nëse do të ndodhë diçka e tillë. Ukraina është një vend i madh, i varfër dhe një prodhues i madh i produkteve bujqësore.
Me kalimin e kohës, hyrja e saj në union mund të shndërrohet në një mosmarrëveshjeje serioze brenda BE-së. Mua nuk më duket se siç janë shprehur aktualisht, ankesat e fermerëve janë më të dëmshme për BE-në, sesa protesta të tilla të ngjashme në të kaluarën.
Apo që kërkesat në fjalë janë në thelb të paplotësueshme. Sepse mund të bihet dakord për njëfarë ngadalësimi të axhendës së kalimit drejt ekonomisë me miqësore me mjedisin, së bashku me garantimin e kompensimit për importet që vijnë nga Ukraina.
Pranimi i Kievit në union është një çështje tjetër. Por nëse BE-ja do të arrijë ta bindë Hungarinë të ofrojë më shumë ndihmë financiare për Ukrainën, siç bëri në samitin e Brukselit të javës së kaluar, mund të gjejë zgjidhje edhe çështja e grurit ukrainas dhe ndikimi i agjendës së gjelbër të BE-së.
Çështjet e tjera, janë më shumë të një natyre kombëtare, sesa në raport me unionin në tërësi. Protestat e fermerëve gjermanë javët e fundit (të rralla në llojin e vet në këtë vend), u nxitën nga një vendim i qeverisë që do të rriste çmimet e naftës.
Ndërsa fermerët gjermanë mund të ndajnë shumë nga shqetësimet e kolegëve të tyre të BE-së, origjina e kësaj mosmarrëveshjeje ishte kombëtare. Dhe e tillë duhet të jetë edhe zgjidhja. Sa i përket pakënaqësisë që gëlon në mbarë BE-në, dhe që mund të shpërthejë në kryengritje popullore – qoftë vetëm në formën e zgjedhjes së partive të ekstremit të djathtë apo populiste – sërish rreziqet duken të ekzagjeruara.
Ndërsa kjo gjë ka ndodhur në fakt në Holandë dhe Sllovaki, e kundërta ndodhi në Poloni, ku Platforma Qytetare pro-BE e Donald Tusk fitoi në zgjedhjet e fundit parlamentare. Po ashtu, duhet theksuar se Sllovakia tani ka një qeveri koalicioni midis të majtës dhe djathtës, ndërsa Holanda nuk ka ende asnjë qeveri të re.
Në Gjermani, vota e AfD-së nuk përputhet gjithmonë me frikën që gjeneron kjo forcë politike. Sepse ajo humbi papritur në zgjedhjet lokale të fundjavës së kaluar. E njëjta gjë vlen dhe për Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen (ish Fronti Kombëtar) në Francë.
Po ashtu, duhet bërë një dallim midis zgjedhjeve parlamentare dhe atyre për në Parlamentin Evropian, të cilat mund të ofrojnë atë që për disa votues mund të duket si një mjet më pak i rrezikshëm për shprehjen e pakënaqësisë. Thënë këtë, Bashkimi Europian ka treguar një solidaritet të admirueshëm dhe për shumëkënd befasues me Ukrainën gjatë dy viteve që nga fillimi i pushtimi rus në shkallë të gjerë.
Sigurisht, ka pasur dallime në lidhje me mbështetjen ushtarake, si dhe për importet e grurit. Por pavarësisht qëndrimit të vazhdueshëm të Hungarisë si një aleat rebel, nuk pa pasur asnjë përçarje serioze në lidhje me Rusinë apo ndonjë çështje tjetër.
Dhe ndërsa Gjermania e ka sakrifikuar pjesën më të madhe të epërsisë së saj ekonomike në mbështetje të Ukrainës, duke e riorientuar të gjithë ekonominë larg energjisë ruse; shumica e vendeve kanë vuajtur pasojat e çmimeve më të larta. Por Bashkimi Europian, dhe ndoshta pjesërisht për shkak të largimit të Britanisë, ka arritur që ta përballojë presionin.
Zgjedhjet kombëtare dhe ato për Parlamentin Europian muajt e ardhshëm, do të tregojnë se deri ku mund dhe do të mbahet ky kohezion. Por unë e kam të vështirë të dalloj në protestat e fermerëve të sotëm, diçka cilësisht të ndryshme nga ato të së shkuarës, që kane qenë në mbështetje të lëvizjeve nacionaliste apo populiste, dhe me ndonjë dimension potencialisht mbarë-evropian.
Të paktën deri më sot. Për pakënaqësinë e evropianëve ka shumë shkaqe të zakonshme, por edhe shumë dallime kombëtare etj. Prandaj duket se nuk ka gjasa se mund të bashkohen ndonjëherë në ndonjë pikë.
Burimi: The Independent/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




