Biznes

2024 nis me pesimizëm për konsumatorët dhe bizneset. Ndërtimi pret rënie të kërkesës dhe çmimeve

Nga Gazeta ‘SI’ – Bizneset dhe konsumatorët e kanë nisur 2024-n me pesimizëm për sa i përket ekonomisë, duke e ulur treguesin me 1.8 pikë.

Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë, të gjithë treguesit, përveç industrisë dhe tregtisë kanë shënuar rënie gjatë janarit.

Si rrallë herë, besimi në ndërtim shënoi rënie të fortë me 8.6 pikë përqindje, ndikuar nga pritjet për rënie të kërkesës, aktiviteti dhe punësimit. Ndërtuesit presin gjithashtu edhe rënie çmimesh.

Rënien e dytë më të madhe e ka pasur sektori i shërbimeve me 5.9 p.p, lidhur po ashtu me rënien e kërkesës, punësimit dhe çmimeve.

Konsumatorët kanë ulur besimin e tyre në ekonomi me 0.9 p.p gjatë janarit. Ata vlerësojnë me rënie situatën e tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen. Nga ana tjetër, vlerësimi i tyre për blerjet në shuma të mëdha u rrit lehtë në muajin janar.

Nga ana tjetër, tregtia dhe industria raportohen me rritje 4.9 dhe 4 p.p respektivisht, pasi presin rritje të kërkesës dhe punësimit. Të dy sektorët parashikojnë rënie çmimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë