Nga Gazeta ‘Si’ – Faqja e Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) ka rënë pre e grupit iranian të hakerave, Homeland Justice.
Në një njoftim të bërë në rrjetin social Telegram, ky grup ka njoftuar se ka mundur që të hakerojë faqen e webit të INSTAT.
“Homeland Justice” kanë publikuar emrat e punonjësve të INSTAT, e-mailet, numrat e tyre të telefonit dhe adresat e banimit.
Por në një reagim për mediat INSTAT theksoi se të dhënat e censit nuk janë prekur pasi ndodhen në një server tjetër.
“Është reaguar me shpejtësi për të minimizuar dëmet. Ndërprejmë lidhjen e internetit dhe aktivizuam protokollet e emergjencës. INSTAT po bashkëpunon me autoritetet për të identifikuar burimin e sulmit”, thuhet në njoftim.
“Numrat dhe shifrat, statistikat… Ata janë të gjithë kundër jush. Ju jeni armiku juaj i vetëm. INJORANCA juaj është Torturuesi juaj”, shkruan Homeland Justice në Telegram.
Sakaq, aktualisht faqja është e paaksesueshme nga qytetarët në motorët e kërkimit në Google.
“Pre” e sulmeve kibernetike më parë kanë rënë edhe faqja e Kuvendit të Shqipërisë, AKSHI-t dhe kompanisë celulare “OneAlbania”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.