Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka hedhur për konsultim strategjinë e re të agroturizmit, që synon ta rregullojë dhe ta bëjë atë një motor ekonomie me rëndësi.
Sipas dokumentit, të punuar nga ministria e Bujqësisë, fermat agroturistike, ndonëse pa analiza të detajuara, konsiderohet se gjenerojnë rreth 4 mln euro për ekonominë e vendit. Deri në 2027-n, kur parashikohen të certifikohen 100 të tilla nga 25 që janë tani, kjo vlerë do të shkojë deri në 17 mln euro në vit.
Strategjia përmend se agroturizmi duhet të rregullohet me një ligj të dedikuar dhe jo të trajtohet si një nënkategori e turizmit rural.
“Në praktikë, nuk bëhet dallim midis agroturizmit dhe agroturizmit të certifikuar. Në fakt, agroturizmi është i vështirë për t’u kategorizuar dhe shpeshherë mund të konsistojë thjesht në një restorant fshati, ndërsa agroturizmi i certifikuar i nënshtrohet një procesi certifikimi që mundëson një regjim tatimor të lehtësuar (TVSH të reduktuar në normën 6%, tatim mbifitimin në normën 5%, përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për investimet). Sektorit i nevojitet padyshim një ligj i posaçëm që synon përcaktimin e qëllimeve të tij, kritereve, kufijve operacionalë, sistemit të monitorimit, rezervimit të emrave, strukturimit të veprimtarive administrative dhe koordinimit midis ministrive”, propozon MBZHR.
Për ministrinë e Bujqësisë, zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri pengohet nga mungesa e certifikimit ‘made in albania’, mungesa e infrastrukturës dhe transportit publik, fragmentimi ekstrem në fshatra dhe presioni i tepërt mbi zonat bregdetare që kanë shpeshherë turizëm në masë dhe risku i komprometimit të këtyre zonave nga pikëpamja mjedisore.
Oferta e dobët nga bizneset dhe emigracioni i lartë po dëmtojnë po ashtu agroturizmin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.