Analize

Pse pjesa tjetër e botës po e refuzon Perëndimin?

Nga Fawaz A.Gerges – Ndërsa lufta në Gaza po hyn në muajin e saj të katërt, shumë njerëz në Lindjen e Mesme dhe në mbarë Jugun Global, janë tronditur si nga egërsia e fushatës ushtarake të Izraelit, ashtu edhe nga mbështetja e palëkundur e qeverive perëndimore për të.

Për ta, kjo është një luftë e presidentit amerikan Joe Biden, po aq sa edhe e kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu. Dhe indiferenca e vazhdueshme ndaj shkallës së shkatërrimit, ka rikonfirmuar se sa pa rëndësi duken të jenë jetët e arabëve për udhëheqësit perëndimorë.

Për ata që jetuan gjatë Luftës së Ftohtë dhe panë sesi fuqitë perëndimore u përballën me shtetet post-koloniale dhe popujt e tyre, ngjarjet e fundit janë shumë të njohura.

Sikurse e argumentoj në librin tim të ri “Çfarë shkoi vërtet keq: Perëndimi dhe dështimi i demokracisë në Lindjen e Mesme”, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, dhe kryesisht Britania e Madhe, kanë vazhduar të ndërhyjnë diplomatikisht dhe ushtarakisht prej një shekulli, duke ndjekur një politikë të jashtme anti-demokratike, që në përgjithësi ka shpërfillur interesat e popujve të Lindjes së Mesme.

Në çdo rast, vendimet e Perëndimit u nxitën në atë kohë nga dëshira për të zmbrapsur komunizmin, dhe për të siguruar dominimin e kapitalizmit liberal. Dhe në ndjekje të këtyre synimeve, SHBA-ja u ofroi liderëve të Lindjes së Mesme një zgjedhje me shumën zero:ose bashkohuni me aleancat rajonale të udhëhequra nga perëndimi dhe hapeni ekonominë tuaj ndaj kapitalit global, ose do të konsideroheni armiqtë tanë.

Në emër të ruajtjes së stabilitetit dhe sigurimit të furnizimit të pandërprerë me naftë të lirë, fuqitë perëndimore bënë marrëveshje me autokratët e Lindjes së Mesme, duke ndihmuar aktivisht në shkatërrimin e lëvizjeve demokratike fillestare.

Në fillim të viteve 1950, kur liberal demokrati Mohammed Mossadegh u bë kryeministër i Iranit dhe e shtetëzoi naftën e vendit të tij, CIA dhe MI6, pra shërbimi sekret amerikan dhe britanik, orkestruan një grusht shteti dhe e zëvendësuan atë me Shahun.

Ajo ndërhyrje e bazuar tek interesat e ngushta të 2 shteteve, e pengoi zhvillimin demokratik të Iranit dhe krijoi terrenin për Revolucionin Islamik të vitit 1979, që solli në pushtet regjimin teokratik që po sundon edhe sot e kësaj dite. Po në vitet 1950, Gamal Abdel Nasser, një udhëheqës karizmatik që prirej të mbante qëndrim miqësor ndaj SHBA-së, u bë president i Egjiptit dhe vendosi se nuk ishte në interesin e vendit të tij që t’i bashkohej një pakti të mbrojtjes të udhëhequr nga Perëndimi.

Duke synuar poshtërimin dhe më pas rrëzimin e tij, SHBA-ja dhe Britania  e Madhe hoqën dorë nga mbështetja për projektin e madh të Digës Aswan në lumin Nil. Kjo çoi në atë që u njoh si Kriza e Suezit e vitit 1956, e cila për pak sa nuk shkaktoi një luftë të re botërore.

Në fund të saj, udhëheqësi më popullor i shtetit më të populluar arab, u bë një armik i hapur dhe i ashpër ndaj Perëndimit. Ndërsa Perëndimi i udhëhequr nga SHBA-ja, ka pasur një qasje të ashpër edhe në rajone të tjera, zyrtarët perëndimorë e kanë racionalizuar prej kohësh misionin e tyre neo-perandorak në Lindjen e Mesme duke pretenduar se kombinimi i Islamit dhe kulturës arabe është i papajtueshëm me demokracinë.

Pasoja është se tani liderët autokratë dhe brutalë, cilësohen si thelbësorë për stabilitetin që kërkon Perëndimi. Dhe leksioni që kanë marrë këta liderë ka qenë i qartë: shtypja dhe abuzimet me të drejtave të njeriut do të injorohen, për sa kohë që do të zbatohen urdhrat e Amerikës.

Edhe për qytetarët e rajonit, mësimi ka qenë më se i qartë:jetët dhe të drejtat e tyre kanë pak rëndësi në llogaritjet që bën Perëndimi, pavarësisht gjithë retorikës së tij të madhe për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Pushtimi prej 2 dekadash i Afganistanit dhe Irakut e bëri  shumë të qartë këtë gjë.

Barack Obama, ishte presidenti i parë amerikan që la të kuptohet një qasje ndryshe. Duke folur në Akademinë Ushtarake amerikane Ëest Point në vitin 2014, ai kritikoi luftërat e vazhdueshme të Amerikës, si dhe tendencën për të pushtuar në fillim dhe për të ngritur pikëpyetje më vonë.

Gabimet më të kushtueshme të Amerikës në rajon, nuk kanë ardhur nga vetëpërmbajtja, argumentoi ai, por nga “gatishmëria për të nxituar në përfshirjen në aventura ushtarake pa i menduar mirë pasojat, pa ndërtuar mbështetjen dhe legjitimitetin ndërkombëtar për… veprim; pa u konsultuar me popullin amerikan mbi sakrificat e kërkuara”.

Për fat te keq, perspektiva e matur e Obamës duket se ka humbur fare gjatë presidencës Biden, i cili i përket brezit të udhëheqjes amerikane të Luftës së Ftohtë. Deri në tetorin e vitit të kaluar kaluar, Biden i kishte kushtuar pak kohë apo vëmendje konfliktit izraelito-palestinez.

Ai e pranoi me lehtësi status quo-në e paqëndrueshme të vuajtjeve të përhershme të palestinezëve, duke u përqendruar më shumë në përpjekjen për të zgjeruar Marrëveshjet Abrahamike. Këto marrëveshje, të ndërmjetësuara nga administrata Trump, synonin të normalizonin marrëdhëniet e Izraelit me autokratët arabë, në këmbim të ndihmës dhe mbrojtjes për sigurinë, duke i dhënë fund angazhimit të rajonit ndaj kauzës për krijimin e një shtetit të ardhshëm palestinez.

Që nga sulmi brutal i Hamasit më 7 tetor 2023 – që nxori në pah marrëzinë e qasjes së Biden dhe Netanyahut – nuk ka pasur as vetëpërmbajtje dhe as ndonjë përpjekje për të menduar mbi  pasojat e luftës aktuale. Përkundrazi, Biden dhe aleatët e tij evropianë, kanë mbështetur me gjithë zemër sulmin e plotë të Izraelit ndaj Gazës.

Edhe pse numri i vdekjeve të civilëve është rritur me një ritëm të paprecedentë, kriza humanitare po përkeqësohet nga dita në ditë, dhe qeveritë në mbarë botën kanë bërë thirrje për një armëpushim, Biden nuk ka treguar asnjë gatishmëri për të ndërhyrë për ta ndalur gjakderdhjen.

Ndërkohë, përleshjet në kufirin Izrael-Liban dhe sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA mbi pozicionet e rebelëve Houthi në Jemen, por edhe mbi milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, tregojnë se konflikti mund të përshkallëzohet akoma më tej. SHBA-ja dhe Britania po përfshihen gradualisht në konfliktet e rajonit, ndonëse këtë herë shumë të vetëdijshme për atë që po bëjnë.

Joe Biden pretendoi se përfaqësonte një shkëputje të pastër nga qasja e Donald Trump, por fakti është se kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, midis tyre nuk ka asnjë dallim. Në këtë rajon, por edhe në pjesën më të madhe të Jugut Global, Biden do të mbahet mend si një tjetër president amerikan që e zhvlerësoi jetën e arabëve, duke predikuar nga njëra demokracinë, dhe duke mbështetur nga ana tjetër shtypjen dhe dhunën.

Biden mund të pendohet shumë shpejt për mbështetjen e fortë që i ka dhënë Netanyahut gjatë muajve të fundit. Netanyahu, një ekspert në manipulimin e klasës politike amerikane, kritikoi kohët e fundit mbështetjen nga Biden të idesë së krijimit të një shteti palestinez, duke këmbëngulur se Izraeli duhet të ketë nën kontroll “të gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan”.

Kjo deklaratë u bë enkas në fillim të fushatës presidenciale në SHBA, në të cilën Trump është kandidati i tij i preferuar. Edhe nëse Biden do të arrijë të sigurojë një mandat të dytë, ironia tragjike është se Lindja e Mesme është më pak e qëndrueshme sot se sa në çdo moment të historisë së saj moderne. Strategjia e Perëndimit ka qenë një dështim i madh, dhe kjo trashëgimi do të rëndojë situatën në botën tonë për një kohë shumë të gjatë.

Burimi: Project Syndicate/ Përshtati: Gazeta Si

Shënim: Fawaz A.Gerges, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë