Nga Francesco De Palo – Pesëmbëdhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, marrëdhëniet midis Prishtinës, Beogradit dhe BE-së po përjetojnë ende momente shumë të ndërlikuara. Tensionet e fundit midis presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që iu shtuan dallimeve ekzistuese në pikëpamjet mbi procesin e anëtarësimit, duhet të lexohen edhe në dritën e krizave të vazhdueshme, si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Ukrainë.
Roli i lojtarëve të mëdhenj të jashtëm, konteksti i angazhimit të përgjithshëm të NATO-s, stabiliteti i Ballkanit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në lindje të kontinentit, mbeten tema qendrore në axhendat e të gjitha vendeve, me vështirësitë e menaxhimit që jehojnë ende në këtë pjesë të ish-Jugosllavisë.
Anëtarësimi në BE
Pengesa e fundit, ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duhet të shkëputet nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Një qëndrim, që ishte shprehur më herët gjatë samitit të fundit të liderëve të Ballkanit Perëndimor të organizuar në Shkup nga Maqedonia e Veriut (me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë).
Por BE-ja nuk është dakord me qasjen e Prishtinës: marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pretendon Brukseli, pajtimi dhe normalizimi, janë shtyllat e procesit të anëtarësimit në union për çdo vend aspirant. Sipas strategjisë së Brukselit, objektivi është qasja në planin e rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian prej 6 miliardë eurosh, të paraqitur tetorin e vitit të kaluar dhe që synon të dyfishojë madhësinë e ekonomive rajonale brenda 15 viteve të ardhshme. Arsyetimi që e shtyu BE-në drejt këtij vendimi, bazohet në faktin se ekonomia mund të çojë në një lehtësim të marrëdhënieve midis shteteve. Në këmbim të kësaj ndihme financiare, Bashkimi Evropian kërkon zbatimin e reformave të kërkuara, si dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve ende të pazgjidhura me fqinjët e tyre.
Bashkëpunimi rajonal
Të pranishëm në Shkup ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski , presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajic dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Të pranishëm në samit ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, dhe Zv/Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.
Të gjithë ranë dakord mbi një qasje të qartë: “Duke njohur peizazhin e ndërlikuar gjeopolitik të karakterizuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe krizat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, ne udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, nënvizojmë rëndësinë themelore që ka bashkëpunimi brenda rajonit si dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, ne jemi të përkushtuar që të promovojmë progresin e 4 lirive të lëvizjes (kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve) për të gjithë qytetarët tanë”-theksohet në përfundimet e takimit.
Ndërkohë në Kosovë ka ndodhur një ndryshim në drejtimin e Komandës Rajonale të misionit KFOR të NATO-s, midis Regjimentit të 11-të Bersalierëve të Brigadës “Ariete” dhe Regjimentit të I-rë Bersalier të Brigadës “Garibaldi”.
Zgjedhjet, sfida më akute për Serbinë
Për më tepër, gjatë javëve të fundit, ka lindur një problem tjetër, bazuar tek zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale në Serbi. Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, diskutuan mbi zgjedhjet serbe për të cilat ka pasur jo pak akuza për parregullsi dhe manipulime.
Autoritetet serbe, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’iu drejtuar OSBE-së, ndërsa disa deputetë kanë ripërsëritur kërkesën për hetim mbi parregullsitë e supozuara. Kjo çështje pritet të marrë një zgjidhje brenda datës 8 shkurt.
Sipas eurodeputetes italiane Alessandra Moretti, kryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Serbinë, gjetjet e vëzhguesve të zgjedhjeve të 17 dhjetorit janë shumë shqetësuese. Të njëjtin qëndrim ka edhe Klemen Groselj (eurodeputet i grupimit Ripërtëritja e Evropës), sipas të cilit zgjedhjet nuk përmbushën standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Burimi: Formiche. Përshati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




