Gazeta Si - Me qetësinë e një njeriu që kishte gjithçka nën kontroll në familjen e tij, Jetnor Zhaboli nuk e ka pritur praninë e befasishme të policisë në banesën e tij.
Me profesionin e ekonomistit në kryeqytet dhe me një pamje që nuk lë shumë vend për dyshime, 35-vjeçari kishte vendosur të izolonte të gjithë familjen e tij.
Shtëpia, e cila ndodhej në një apartament në Selitë të Vjetër të Tiranës, ishte e rrethuar me kamera thuajse në çdo kënd të saj.
Në deklaratat e para në polici, Zhaboli ka deklaruar se i “burgosi” gruan dhe fëmijët e tij, 5 dhe 9 vjeç në shtëpi "për t’i mbrojtur".
Sipas burimeve paraprake, Zhaboli ka dëshmuar se ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke folur me persona të tjerë.
Kaq ka mjaftuar që ai të instalonte kamera në çdo cep të shtëpisë, madje edhe në tualet, të cilat i kishte lidhur me aparatin celular për të kontrolluar gjithçka, kudo që të ndodhej.
Në pjesën e jashtme të derës së apartamentit në Selitë, ku jetonte familjarisht, ai kishte vendosur 2 kamera për të monitoruar kush hynte e dilte.
35-vjeçari gjithashtu kishte instaluar pajisje për bllokimin e valëve dhe madje ndërpriste edhe energjinë elektrike. Gjithnjë sipas informacioneve paraprake, Zhaboli gjithashtu terrorizonte fëmijët.
Sa herë që ai largohej, iu ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes.
I riu abuzonte prej kohësh me gruan e tij prej xhelozisë së tepërt. Kjo e fundit mësohet se ka tentuar vetëvrasjen disa herë dhe si gjurmë ka lënë letrat e lamtumirës, të cilat policia i ka gjetur në banesë.
Në polici nuk ka pasur një denoncim nga gruaja dhe nëna e tij, por policia është mësuar me rastin pas informacioneve në rrugë operative dhe ka ndërhyrë.
Burime bëjnë me dije se ka dyshime që Zhaboli të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim për të përcaktuar situatën e tij mendore.
Prej fillimit te marrëdhënies sipas hetimeve ka qenë xheloz dhe kontrollues, por me kalimin e kohës është bërë edhe më agresiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.