Gazeta Si - Një 35-vjeçar është arrestuar këtë të premte në Tiranë, pasi mbante të mbyllur në banesë nënën, bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.
Sa herë që ai largohej, iu ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes.
Nga hetimet, ka rezultuar se kryefamiljari Jetnor Zhaboli, sa herë largohej nga banesa, i monitoronte me kamera dhe iu bllokonte valët e telefonit, duke mos i lejuar të komunikojnë me asnjë person.
Zhaboli ishte me profesion ekonomist. Prej fillimit te marrëdhënies ka qenë xheloz dhe kontrollues, por me kalimin e kohës u bë edhe më shumë.
Sipas burimeve paraprake, kishte instaluar kamera në çdo cep të banesës madje edhe në dhomën e gjumit dhe në tualet dhe i monitoronte nga celulari, kur nuk ishte në banesë. Po ashtu kishte montuar bllokues valësh që familjarët të mos bënin telefonata të pa kontrolluara.
Kjo jetesë i kishte shkaktuar stres bashkëshortes së tij, e cila kishte tentuar vetëvrasjen. Në banesë policia gjeti dy letra që gruaja kishte shkruar për familjaret e saj, ku iu linte lamtumirën dhe u kërkonte falje.
Këtë dhunë e përjetonte edhe nëna e tij, e cila ishte e pafuqishme për të kundërshtuar të birin dhe për të mbrojtur nusen dhe nipërit.
Sipas burimeve paraprake, ai ishte i martuar prej 10 vitesh dhe ishte tejet xheloz për bashkëshorten, duke i ndaluar asaj çdo lëvizje.
Në polici nuk ka pasur një denoncim nga gruaja dhe nëna e tij, por agjentët kanë marrë informacion në rrugë operative dhe kanë ndërhyrë.
Mësohet se efektivët e Komisariatit nr. 1 trokitën në derën e Zhabolit, por ajo ishte e kyçur. Më pas kanë gjetur 35-vjeçarin, i cili i futi brenda në banesë.
Bashkëshortja e tij nuk ka thënë asnjë fjalë para hetusve. Ka qenë e ëma, H.Zhaboli, e cila ka treguar se i mbante të kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të tre. Bashkëshotja e Zhabolit për shkak të situatës nuk është në gjendje të mirë psikologjike.
Burime bëjnë me dije se ka dyshime që Zhaboli të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim për të përcaktuar situatën e tij mendore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.