Mendim

Identikiti psiko-social i njerëzve si Jetnor Zhaboli

Nga Gazeta Si - Sipas burimeve paraprake, sapo Jetnor Zhaboli ka dëgjuar gruan e tij duke folur me persona të tjerë, ka marrë ‘masat’, duke izoluar në shtëpi bashkëshorten, nënën e tij dhe dy fëmijët e mitur.

Ngjarje të tilla janë jo pak të dëgjuara në vendin tonë dhe sipas ekspertëve, janë njerëz që kanë pasiguri shumë të mëdha dhe këtë tentojnë ta fshehin duke mbajtur në kontroll të tjerët.

“Njerëz të tillë gjejmë kudo por karakteristike për ta është se vuajnë nga çrregullimi i personalitetit dhe futen tek tipi paranojak”, thotë për Gazetasi.al psikologe Arjana Muça, duke shtuar se njerëzit me çrregullime të personalitetit paranojak janë shumë mosbesues ndaj të tjerëve dhe dyshojnë për motivet e tyre.

Muça thotë se shkaku specifik i çrregullimeve të personalitetit nuk dihet. Por ky lloj çrregullimi shkaktohet nga ndikimet gjenetike dhe mjedisore dhe më së shpeshti nga traumat në fëmijëri. Reagimet ose sjelljet e këtyre individëve shpesh shkaktojnë probleme dhe kufizime në marrëdhënie, takime shoqërore dhe ambiente pune ose shkolle.

“Këta faktorë ndikojnë që njerëzit me çrregullime të personalitetit të ndihen të izoluar, gjë që mund të kontribuojë në depresion dhe ankth. Kjo lloj sjellje i bën ata dyshues dhe për rrjedhojë kjo shpjegon dhe formën e reagimeve të tyre ndaj familjarëve”, thotë Muça.

Edhe Manolita Hida, psikologe klinike zhvillimi dhe marrëdhëniesh i qëndron mendimit se janë individë që nuk kanë besim tek vetja dhe mendojnë se të tjerët do ta tradhtojnë mbrapa krahëve.

Gjithashtu, janë persona që mund të mos kenë marrë vlerësimin ashtu siç ato kanë dashur dhe në momentin që dikush nuk është i vlerësuar, i duket normale të mos vlerësojë dikë tjetër, sipas psikologes.

Ajo thotë për Gazetasi.al se ne si popull e kemi shumë të fortë pjesën e përkatësisë dhe çdo gjë kemi tendencën ta trajtojmë si objekt.

“Në edukimin tonë, ne kemi elemente që justifikojnë shumë sjellje që nuk janë normale siç është edhe dhuna. Sado që përpiqemi ta fshehim, ne dhunën e kemi të parën”, thotë Hida, duke shtuar se një element tjetër që ndikon tek persona që kryejnë veprime të tilla është edhe normalizimi i ngjarjeve të tilla.

“Sa më shumë që normalizohen ngjarje të tilla, duke u bërë publike herë pas here, aq më shumë veprojnë persona të tillë, sepse fillojnë ti përpunojnë në trurin e tyre si situata normale dhe i bëjnë pjesë të normalitetit”, thotë Hida.

Gjithashtu, psikologia thotë se është edhe në kulturën tonë që meshkujt shtëpinë ta trajtojnë si pronën e tyre, bashkë me njerëzit dhe gjithë objektet që ndodhen aty.

“Ne si popull nuk arrijmë të kuptojmë se njerëzit mund të jetojnë edhe vete. Ne mendojmë se personi që duam, duhet ta nisë ditën me ne dhe ta përfundojnë me ne, të jetë në çdo moment aty. Mund të jenë persona që nuk kanë marrë dashurinë që kanë dhënë. Nuk ka gjetur një strehë të sigurt për të shprehur emocionet dhe ndjenjat e veta. Të gjitha këto bëhen së bashku për të formuar personin që shkon deri në ekstreme” ,thotë Hida.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë