Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka vendosur shtyrjen edhe për 20 ditë të tjera të masës së sigurisë “arrest në burg” për 35-vjeçarin Jetnor Zhaboli, i cili mbante të mbyllur prej muajsh nënën, gruan dhe dy fëmijën e mitur, brenda banesës së tyre.
Avokatët e tij kërkuan shtrim të përkohshëm në psikiatri deri sa të bëhet ekspertiza psikoligjore. Vetë Zhaboli foli shkurtimisht në gjykatë ku tha se e bëri një veprim të tillë “për tu kujdesur për anëtarët e familjes pasi kishte frikë për ta”.
Afati i ri me 20 ditë do të përdoret për kryerjen e ekzaminimeve mjekësore, pasi ekspertët nuk arritën të paraqesin konkluzione në seancën e të hënës.
Rreth 3 javë më parë, ai u arrestua pas zbulimit nga autoritetet të rastit, duke iu vendosur masa “burg me afat 20 ditor”.
Zhaboli u arrestua nga policia pasi rezultoi se kishte vendosur kamera në apartamentin ku jetonte, hyrjen dhe fasadën e pallatit, duke mos lejuar që gruaja, nëna dhe vajza të dilnin.
Gjithashtu, i riu kishte vendosur edhe bllokues valësh në banesë në mënyrë që të evitonte kontaktin e tyre me persona të tjerë.
Para hetuesve ai tha se ata kërcënoheshin nga persona të panjohur, teksa gruaja ka rrëfyer për hetuesit edhe episode të dhunës fizike të ushtruar nga ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.