Politike

Manovrat e PS /  Klosi rrëzon Shalsin: S’do të ketë asnjë komision apo grup pune për kontrollin e drejtësisë

Nga Gazeta Si - Një deklaratë e pak ditëve më parë e deputetit socialist Eduard Shalsit se do të drejtojë një grup pune, që në thelb ka si synim forcimin e kontrollit të qeverisë dhe organeve që raportojnë në Kuvend, ka sjellë interpretime të ndryshme politike nga të dy kahet.

Opozita në bllok e konsideroi një tentativë për kontrollin e institucioneve të pavarura dhe konkretisht drejtësisë, sa kohe që Kuvendi i ka të mirëpërcaktuara rrugët se si, mjafton që secili organ të bëjë punën që i ngarkon ligji.

Ndërsa PS-ja në anën tjetër sa duket e ka hedhur fillimisht deklaratën më shumë si testim se si procesohet (më së shumti nga ndërkombëtarët që janë të ndjeshëm kur bëhet fjalë për organet e pavarura) për të parë më pas lëvizjet konkrete.  

"Nuk ka asnjë tendencë që të ketë komision nga ana e PS që të kontrollojë punën e institucioneve” tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në emisionin “Debat” në A2CNN.

“Roli dhe rolet e Kuvendit dhe përgjegjësitë e Kuvendit janë të përcaktuara. Nuk do të mund të marrë ndonjë rol shtesë Kuvendi.  Ajo që do të duhet të ndodhë është që të rriten kapacitetet për të monitoruar, skrutinuar, kontrolluar punën e qeverisë dhe të institucioneve të ndryshme të pavarura siç bëjnë”, tha konkretisht Eduard Shalsi

Sipas Klosit, gjasat janë që fjalët e Shalsit të jenë nxjerrë nga konteksti.

“Në këto 32 vite, nuk ka pasur një shprehje të tillë si kjo që thotë zoti Shalsi. Nuk ka asnjë tendencë që të ketë një grup pune, apo komision nga ana e PS që të kontrollojë punën e institucioneve. Ka diskutime vetëm për të forcuar kapacitetet e Parlamentit si institucion.”

Kjo iniciativë e socialistëve, të cilën Klosi e mohon të jetë ashtu siç është interpretuar, po komentohet si një përpjekje nga ana e qeverisë për të kontrolluar organet e reja të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë