Ne rrjet

Çfarë është ringjallja dixhitale dhe pse nuk jemi ende gati për të?

Sa prej jush do të dëshironin të komunikonin me një njeri të afërm që ka ndërruar jetë? Ndoshta shumica. Por ndërsa teknologjia na e ofron tashmë një mënyrë për ta bërë këtë, shumë njerëz kanë ndryshuar mendje.

Sipas pjesëmarrësve në një studim të fundit të kryer në Shtetet e Bashkuara dhe të botuar në Gazetën Aziatike mbi Ligjin dhe Ekonominë, ka diçka tejet të gabuar me të ashtuquajturën “ringjallje dixhitale” (ose “ klonim dixhital”). Sidomos nëse kjo bëhet pa pëlqimin paraprak të personit në fjalë, pra të të ndjerit. Megjithatë, përpara se të thellohemi në rezultatet e hulumtimit, duhet të shpjegojmë në detaje se për çfarë jemi duke folur.

Një trillim i vërtetë

Metoda në fjalë, ka të bëjë me mundësinë e shkrimit elektronik në një chatbot, i cili funksionon në të njëjtën mënyrë si Inteligjencat Artificiale gjeneruese më të njohura ( ChatGPT , Bard, Bing), por me ndryshimin që në vend se ta stërvitni atë në një ueb, softuerit i jepet gjithçka që ka prodhuar në mënyrë dixhitale në jetën e tij një person që tashmë ka ndërruar jetë (chat, mesazhe, mesazhe zanore, e-mail etj).

Në këtë mënyrë, softueri mund ta modelojë stilin e tij të të shkruarit me atë të të ndjerit, dhe t’u përgjigjet mesazheve në mënyrë të ngjashme me atë që ai bënte kur ishte gjallë, duke përdorur të njëjtat “emoji”, duke bërë të njëjtat gabime gramatikore, dhe madje duke përsëritur karakteristikat e tij, sa i përket humorit, ndjeshmërisë dhe shijeve. Me pak fjalë, do të kishit përshtypjen se po bisedoni me të, sikur të ishte ende gjallë.

Sondazhi

Me teknologjinë aktuale, “ringjallja” e një personi bëhet një lojë fëmijësh. Këtu hyn studimi i Masaki Iwasaki, profesor në Universitetin Kombëtar të Seulit në Korenë e Jugut. Ai e kreu kërkimin e tij në një kampion prej 222 të rriturish amerikanë të moshave, niveleve arsimore dhe prejardhjeve socio-ekonomike të ndryshme.

Pjesëmarrësve iu paraqit një skenar hipotetik, në të cilin një grua 20-vjeçare kishte vdekur në një aksident me makinë, dhe miqtë dhe prindërit e saj po mendonin ta përdornin Inteligjencën Artificiale për ta rikrijuar atë si një android dixhital.

Gjysmës së pjesëmarrësve iu tha se sa ishte gjallë, vajza nuk kishte shprehur pëlqimin për një gjë të tillë, ndërsa gjysmës tjetër iu tha e kundërta. Rezultoi se 97 për qind e të intervistuarve në grupin e parë, thanë se do të ishte e papërshtatshme ta ringjallnin atë në mënyrë dixhitale. Ndërsa 58 për qind e të anketuarve në grupin e dytë, ishin të bindur se ishte e drejtë të bëhej një gjë e tillë, nëse ka pasur një pëlqim me shkrim të lënë paraprakisht nga e ndjera.

Përfundimet

Megjithatë, kur propozimi u zhvendos në sferën personale, të anketuarit shprehën jo pak ngurrim ndaj kësaj ideje. Kështu, 59 për qind e tyre deklaruan se ata vetë nuk do të kishin dhënë pëlqimin për t’u “ringjallur” brenda një chatbot-i.

Ndërkohë më shumë se 40 për qind, e konsideruan atë një praktike të papranueshme në pikëpamjen shoqërore për çdo invidid që është larguar tashmë nga kjo botë. Ata përmendin arsye etike, fetare dhe psikologjike, në një kohë që nënvizojnë edhe rëndësinë që ka procesi i zisë nga të afërmit.

Prandaj, sipas studiuesit, bota nuk është ende gati për një praktikë të tillë. Kjo edhe për shkak të paragjykimeve shumë të përhapura në lidhje me këtë teknologji të re. Gjithsesi do të ishte e rëndësishme të mos përjashtohej mundësia e klonimit dixhital për ata që shprehin një dëshirë të fortë në këtë aspekt.

Burimi: FOCUS. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë