Nga Jon Hoffman – Pas masakrës brutale të Hamasit ndaj civilëve izraelitë më 7 tetor 2023, fushata masive ushtarake e Izraelit kundër grupit radikal, e ka çuar Rripin e Gazës në prag të asgjësimit dhe Lindjen e Mesme në pragun e një lufte më të madhe. Një mori incidentesh që kanë ndodhur që atëherë, tregojnë se konflikti mund të përshkallëzohet akoma më tej.
Kështu së fundmi kemi fundosjen e 3 anijeve të milicëve Houthi nga Shtetet e Bashkuara, në kundërpërgjigje të sulmeve të këtij grupit ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq; një varg vrasjesh të drejtuesve të Hamasit, Hezbollahut dhe Gardës Revolucionare Islamike të Iranit të kryera nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara në Liban, Irak dhe Siri; një paralajmërim të Ministrit izraelit të Mbrojtjes Benny Gantz se “po mbaron koha për një zgjidhje diplomatike” në lidhje me sulmet e Hezbollahut ndaj Izraelit dhe anasjelltas; dhe raportet se administrata Biden po harton plane që Shtetet e Bashkuara të reagojnë ushtarakisht në frontet e shumta në rajon.
Edhe në mesin e kësaj trazire, Uashingtoni vazhdon të përdorë skemat e vjetra:hedh para, armë dhe asete ushtarake në rajon. Administrata Biden mbetet e bindur se arritja e normalizimit të marrëdhënieve izraelito-saudite e përqendruar tek garancitë e sigurisë që jep SHBA-ja për të dyja vendet, është çelësi për arritjen e paqes dhe një zhvillimi të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi të hënën Arabinë Saudite, ku foli për interesin e vazhdueshëm të Riadit për arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Por kjo qasje është e dënuar të dështojë. Uashingtoni duhet të përballet më në fund me realitetin:politika e SHBA-së për Lindjen e Mesme ka dështuar.
Dhe në qendër të këtij dështimi, janë partneritetet kryesore rajonale të Shteteve të Bashkuara. Dy partnerët kryesorë të saj në rajon, Izraeli dhe Arabia Saudite, janë barrë dhe jo asete për Shtetet e Bashkuara në rajon. Sepse megjithëse të dyja shtetet kanë dallime të mëdha politike, ekonomike dhe sociale, ato dëmtojnë vazhdimisht interesat e SHBA-së dhe vleratqë ajo pretendon se mbron.
Për këtë arsye, Uashingtoni duhet të riorientojë rrënjësisht qasjen e tij ndaj të dyja vendeve, duke kaluar nga mbështetja e pakushtëzuar në një marrëdhënie kryesisht transaksionale me bazë interesin e ndërsjelltë. Lufta e Izraelit në Gaza, mishëron dhunimin e vlerave që shpall se mbron SHBA-ja, në një kohë që rrezikon edhe interesat e SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Shkatërrimi i shkaktuar nga kjo luftë, do të kërkojë breza për t’u riparuar, ndërsa imazhi global i Uashingtonit është dëmtuar shumë nga mbështetja e tij për veprime të tilla. Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës të kontrolluara nga Hamasi, rreth 70 për qind e palestinezëve të vrarë nga Izraeli kanë qenë gra dhe fëmijë.
Gati 1.9 milionë njerëz – më shumë se 90 për qind e popullsisë së Gazës – janë zhvendosur për shkak të luftës, dhe më shumë se 45 për qind e banesave në Gaza ishin shkatërruar ose dëmtuar deri në mesi i nëntorit. Edhe pse Izraeli i hedh këto shifra, strategjia e tij duket se ka shumë më pak ndikim mbi Hamasin dhe aftësitë e tij.
Po ashtu, vrasja pa dallim e civilëve në këtë luftë mund të mbjellë “farat” e rezistencës së armatosur në të ardhmen. Perspektivat e përshkallëzimit të saj në një konflikt më të gjerë rajonal, dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së rriten çdo ditë. Edhe përleshjet midis Izraelit dhe grupit militant islamik me bazë në Liban, Hezbollahut, po përshkallëzohen në mënyrë dramatike.
Që nga 17 tetori nga milicitë e mbështetura nga Irani, ka pasur të paktën 115 sulme ndaj personelit ushtarak amerikan në të gjithë Lindjen e Mesme. Izraeli i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të përballen drejtpërdrejt me Iranin si një kundërpërgjigje për këto sulme, pavarësisht se zhytja në një luftë të madhe është kundër interesave të SHBA-së.
Uashingtoni duket ose i paaftë ose nuk dëshiron ta shfrytëzojë të ashtuquajturën marrëdhënie speciale me Izraelin apo të ndikojë mbi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që shpesh mburret me aftësinë e tij për të manipuluar Shtetet e Bashkuara.
Në vend të kësaj, Uashingtoni ka vazhduar qasjen e tij formalisht frenuese ndaj Izraelit, duke i dhënë së fundmi më shumë se 14 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, përmes një pakete të miratuar në nëntor, duke rrezikuar kësisoj një përshkallëzim të madh të konfliktit.
Partneri tjetër kyç i SHBA-së në rajon, Arabia Saudite, është një nga shtetet më autokratike në botë. Riadi kryen abuzime të gjera të të drejtave të njeriut në vend dhe mbështet në mënyrë aktive autokracitë e tjera, të cilat nga ana e tyre janë të përfshira në aktivitete të ngjashme në të gjithë rajonin.
Pavarësisht se Riadi dhe aleatët e tij bëjnë përpjekje të mëdha për të paraqitur princin e kurorës saudite Mohammed bin Salman si një reformator, që po e udhëheq mbretërinë drejt një të ardhmeje të ndritur, sundimtari i ri ka nisur një fushatë të konsolidimit dhe centralizimit të pushtetit të tij.
Kontrolli i regjimit të tij mbi shtetin dhe shoqërinë saudite, nuk ka qenë kurrë më i madh sesa sot. Për më tepër Arabia Saudite, është burimi kryesor i problemeve politike, ekonomike dhe shoqërore në të gjithë Lindjen e Mesme. Riadi ka lidhje me thuajse çdo zonë konflikti në rajon.
Marrëdhëniet e SHBA-së me Arabinë Saudite mishërojnë “mitin e stabilitetit autoritarist”, pra tek koncepti se të paktën sundimtarët autokratë e ruajnë paqen në rajon. Por e kundërta është e vërtetë:Në vend se të jenë një zgjidhje për çështjet në rajonit, këta aktorë krijojnë dhe i thellojnë problemet më të mëdha themelore në Lindjen e Mesme.
Shembulli më flagrant i sjelljes destabilizuese të Riadit, është ndërhyrja ushtarake që ai kreu së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe në Jemen. Që nga viti 2015, kjo fushatë ushtarake ka shkaktuar krizën më të rëndë humanitare në botë, dhe sipas vlerësimeve të OKB-së i ka marrë jetën më shumë se 377.000 njerëzve.
Lufta është futur në një ngërç, kryesisht për shkak të paaftësisë së Riadit për të mposhtur Houthi-t, që pas gati 9 vjet luftimesh shkatërruese, janë ndoshta më të fortë se kurrë më parë. Pra mbështetja e palëkundur e SHBA-së, e ka inkurajuar Izraelin dhe Arabinë Saudite të ndjekin politika të pamatura, duke e ditur se Shtetet e Bashkuara do t’u vijnë në ndihmë dhe nuk do t’i mbajnë ata përgjegjës.
Prandaj Uashingtoni duhet të ndryshojë rrënjësisht qasje. Mjerisht, kjo nuk është ajo që duket se ka në mendje administrata e presidentit amerikan Joe Biden. Ajo mbetet e përqendruar tek përpjekja për të ndërmjetësuar normalizimin e raporteve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, si një zgjatim i Marrëveshjeve të Abrahamit të ndërmjetësuara po nga SHBA, që sollën normalizimin e raporteve të Izraelit me disa vende të tjera arabe dhe myslimane.
Pas dekadash përdorimi të forcës në rajon dhe pa një strategji koherente, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar triliona dollarë, por kanë dështuar të prodhojnë stabilitet rajonal apo të çojnë përpara interesat e SHBA-së.
Ndaj ka ardhur koha të ndryshohet kursi në Lindjen e Mesme. Dështimi për ta bërë këtë, rrezikon të zyrtarizojë angazhimin e Uashingtonit për një cikël destabiliteti, që do të vazhdojë të ndikojë në rajon, dhe do të sabotojë për breza të tërë interesat e SHBA-së.
Burimi: “Foreign Policy”/Përshtati: Gazeta ‘SI’
Shënim:Jon Hoffman, analist i politikës së jashtme në Institutin Kato dhe ndihmës/profesor në Universitetin George Mason.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




