Politike

Negociatat/ Bashkimin e PD e ndajnë dy emra; Sali Berisha dhe Lulzim Basha   

Mundësia e bashkimit të opozitës kushtëzohet me dy emra; Sali Berisha dhe Lulzim Basha. PD e Rithemelimit është e gatshme të bashkëpunoje me këdo përveç Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt.

Në anën tjetër, PD-ja zyrtare tregohet po aq e gatshme, por pjesë e saj nuk duhet të jetë Sali Berisha, sa kohe që emri i tij cenon marrëdhëniet me SHBA sipas tyre.     

Ne foto: Sekretari i Pergjithshem i PD se Rithemelimit, Flamur Noka

PD e Rithemelimit

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka, i cili është negociatori kryesor me grupin e Gazment Bardhit për tu bashkuar, tha se nga këto bisedime përjashtohet vetëm Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj. Noka tha në një konference për shtyp se pjesë e diskutimit është eddhe krijimi i një konfederate propozuar nga aleatët.

 “Me aleatët ne jemi në bisedime. Është hedhur një tezë për krijimin e një federate. Sigurisht që në kontaktin e parë që kemi pasur është diskutuar dhe është lënë që do të hartohet një platformë për të konceptuar idenë e bashkimit.

Jemi në përpjekje të vazhdueshme për të bashkuar opozitën.

Kur them për të bashkuar opozitën, e kam thënë dhe e them, PD është e qartë në qëndrimin e saj, opozitë konsiderohet çdo forcë politike, çdo organizatë jofitimprurëse, që mbron demokracinë dhe bën opozitë me regjimin”, tha Noka.

Ai nënvizoi: “Brava për ne dhe Alibasha nuk është opozitë. Po u them vetëm një gjë? E ndoqët intervistën e kryeministrit dje? Zgjohu nga gjumi, i tha. Të jeni të sigurt se sot do zgjohet nga gjumi. Pra, mori një urdhër indirekt nga televizioni dhe sot do zgjohet. Flasim për faktorët opozitarë, jo për faktorët qeveritarë... Ne kemi bërë punë të madhe për bashkimin e PD-së dhe opozitës dhe po vazhdojmë ta bëjmë. Jemi të hapur në këtë pikë dhe çdo individ që është demokrat dhe opozitar, përjashto Bravën dhe Alibashën, do jetë pjesë e punës tonë për t’u bashkuar dhe krijuar frontin apo federatën kundër këtij regjimi kriminal që kemi përballë. Në këtë bashkim, përjashtohen vetëm dy pengjet, njëkohësisht mercenarët e Edi Ramës”.

Menjëherë ka reaguar edhe Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun i PD-së zyrtare, Edvin Kulluri.

 “Nisur nga deklarata e sotme e përfaqësuesve të Foltores, demokratët dhe opinioni publik duhet të dinë se : 1) Këta që sot pretendojnë bashkim të opozitës janë shkaku i përçarjes së saj; 2) Loja me përplasje në Kuvend për të penguar reformën zgjedhore shkon kundër interesit publik për një parlament të qytetarëve dhe jo kryetarëve; 3) Çdo përpjekje e Foltores për të qenë “partizanët” e Ramës është e dështuar, pasi populli opozitar nuk ka nevojë për hallexhinj por për drejtues moral të opozitarizmit. 4) E vetmja rrugë që kanë “opozitarët e rrugicave” për të bashkëpunuar  me Partinë Demokratike, është që të mbajnë qëndrim të qartë për personat e shpallur Non-Grata, duke u ndarë përfundimisht nga ta. Kjo kërkon njerëz të lirë dhe me dinjitet”, shkruan Kulluri.

PD zyrtare

Ne foto: Deputeti i PD-se, Kreshnik Collaku

Por më vonë nënkryetari i PD-së zyrtare, Kreshnik Çollaku u pozicionua më qartë politikisht.

“Thelbi i krizës që çoi në përçarje, që sot mesa duket po shkon edhe në ndarje, nuk erdhi për shkak të ndarjes numerike apo bashkimit, apo empative e simpative personale. Thelbi i ndarjes ishte një qëndrim në parim, një pjesë e PD nuk pranoi të sakrifikojë për Berishën në rrezik të prishjes së marrëdhëniet me SHBA.

Ka një pjesë në PD që nuk pranon të komprometojë marrëdhëniet me SHBA për interesin e asnjë individi. Ndarja ka qenë e qartë. Me SHBA pa kushte, apo duke i devijuar këtij qëndrimi strategjik me SHBA. Nëse biem dakord të gjitha palët se parimi i moscenimit të marrëdhënieve me SHBA është parimi kryesor që siç e ka themeluar PD vazhdon të ekzistojë, s’kemi asnjë lloj dallimi, mund të bashkohemi të gjithë. Nga ne nuk është askush i gatshëm të shkelë këtë parim madhor, marrëdhëniet strategjike me SHBA duhet të mbeten të pacenuara me sakrificën personale të të gjithëve, duke filluar nga Berisha deri tek anëtari më i ri”, u shpreh Çollaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë