Drejtësia

Gjykata e Lartë nuk heq sekuestron mbi Inceneratorin e Tiranës

Sekuestro mbi inceneratorin e Tiranës do të vazhdojë, pasi Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin për heqjen e kësaj mase preventive.

Kolegji gjykues në dhomën e këshillimit që shqyrtoi këtë kërkesë përbëhej nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.

Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në korrik të vitit të kaluar. Pas kësaj mase, kompania koncesionare kërkoi heqjen e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për persion juridik “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.

SPAK ka delaruar se hetimet kanë treguar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, kompani që ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, Inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Aksionerët e kompanisë “Integrated Energy” kishin kërkuar heqjen e sekuestros edhe më herët në Gjykatën e Apelit, por edhe kjo e fundit kishte lënë në fuqi masën për sekuestro preventive dhe marrjen nën administrimin shtetëror të kompanisë.

SPAK akuzon Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin se kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, të cilët janë edhe personat përfitues real të kësaj kontrate koncesionare.

SPAK ka informuar se dy biznesmenët janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k dhe shoqërinë mëmë në Holandë, me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V”, aktualisht “Geogenix B.V”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Sipas organit hetues, ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako i cili ndodhet në qeli, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, vlerën monetare prej 119.755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit për inceneratorin e SPAK, i cili është sekuestruar.

Ndërsa titullari i Autoritetit Kontraktor, ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, që po ashtu ndodhet në burg, ka miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë