Drejtësia

Ish-zyrtarët mohojnë akuzat në gjykatë për inceneratorin e Tiranës. Lefter Koka: Jam viktimë e Saliut!

Gazeta Si - Gjatë fjalës së tij në seancën gjyqësore, ku GJKKO caktoi masat e sigurisë për të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka deklaruar se akuzat ndaj tij janë ngritur në bazë të opinionit politik dhe mediatik.

Koka, dy vjetështë në qeli për aferën e inceneratorit të Elbasanit, ka mbajtur qëndrim mohues në seancë, duke hedhur akuza në drejtim të ish-kryeministrit Sali Berish dhe ish-aleatit të tij të LSI-së, Ilir Metës.

"Nuk kam shpërdoruar detyrën. Jam viktimë e Saliut dhe partiçkës së Ilirit. Akuzat janë ngritur mbi bazë perceptimi mediatik e politik. SPAK rri e rri dhe më cakton ndonjë masë. I kërkoj ndjesë stafit të gjithë atyre që ndodhen këtu për shkakun tim", mësohet të jetë shprehur Koka.

Lefter Koka akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Kjo sepse sipas SPAK, Koka miratoi procedurën e koncesionit pa pasur dokumentet e hartuara nga Komisioni. Ky i fundit nuk verifikoi studimin e fizibilitetit i kryer nga “Integrated Energy BV”, pasi aty ishin vendosur të dhëna fiktive.

Në fakt, të gjithë të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Tiranës kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK.

Shumica prej tyre kanë folur vetë në seancë, duke pretenduar se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.

Mes tyre ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura.

“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.

Për punësimin e Vladimir Bezhanit, mes të akuzuarve, Alqi Bllako tha:“Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë”, - shtoi izh-zyrtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë