Nga Gazeta ‘SI’ – Në një konferencë për projektet e vitit 2024, zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi se shumë nga ato do të finalizohen brenda këtij viti.
Duke e nisur me infrastrukturën, ministrja njoftoi se në fillim të këtij sezoni veror hapet tuneli i Llogarasë dhe për të njëjtën periudhë do të jetë funksional edhe aksi Thumanë-Kashar. Deri në dhjetor të 2024-s, Balluku tha se do të përfundojë Rruga e Arbrit dhe Unaza e Madhe e kryeqytetit.
“Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës nuk do të prekë rrugët dytësore. Do të shtohen korsi nga të dyja anët dhe do të ketë një korsi emergjente, do të marrë nga një korsi në secilën anë plus korsinë e emergjencës. Edhe pse është aks me rëndësi, fluksi në këtë rrugë nuk do të jetë më aq i lartë, për shkak të rrugës Elbasan-Lekaj.
Këtë vit nis edhe ndërtimi i Kashar-Lekaj, që kalon nëpërmjet Arbanës, Ndroqit. Këto projekte i rregullon Bypass-i i Tiranës që do të lidhë autostradat Tiranë – Durrës dhe Tiranë – Elbasan”, tregoi zv.kryeministrja duke rikujtuar edhe projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas, që vazhdon të jetë në proces ndërtimi.
Balluku u ndal dhe tek infrastruktura ajrore e detare, duke treguar se qeveria është në proces konsultimi me NATO-n për bazën detare që do të ndërtohet në Porto Romano si edhe për jetësimin e një reformë lehtësimi për trupat që operojnë në ujërat shqiptare. Ajo shtoi se në dhjetor 2024 dorëzohet aeroporti i Vlorës dhe në 2025-n nisin fluturimet.
Për aeroportin e Jugut që fillimisht u mendua të ishte në Sarandë duket se tashmë ka një rishikim të tij duke e zhvendosur në Gjirokastër.
“Kemi pasur një proces për Aeroportin e Jugut dhe zona ka pasur shumë ndryshime sa i takon investimeve në hoteleri. Na është dashur të rishikojmë planet sa i takon efikasitetit. Duke qenë se kemi një air fild(fushë ajrore) në Gjirokastër, infrastrukturë të ndërtuar dhe duke pasur që në Shqipëri s’po zhvillohet vetëm turizmi bregdetar, aeroporti i Jugut është menduar në zonën e Gjirokastrës dhe ti shërbejë gjithë zonës së Jugut dhe Sarandës dhe Ksamilit” nënvizoi ministrja
“Do të krijojmë një agjenci për transportin publik, e cila do të lëshojë një biletë elektronike për pasagjerët dhe po rishikojmë shtimin e flotës”, tha ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.