Futboll

Panuçi këshillon Solarin: Më e lehtë të trajnosh Realin se Shqipërinë

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Kristian Panuçi ka folur në një intervistë për Goal.com për situatën e trajneit të Real Madrid. Ish-mbrojtësi që ka luajtur për Real Madrid shpreson që Santiago Solari të arrijë të njëjtat rezultate si francezi, Zinedin Zidan. Panuçi ia uron Solarit këtë sukses edhe pse është shumë i bindur për vështirësitë që po has.

“Zidan fitoi tre Ligën e Kampioneve, kur e bën këtë gjë me siguri që i ke disa cilësi të mira. Unë shpresoj që Solari ta ketë të njëjtin sukses, dhe të fitojë po aq sa ka fituar Zizu. Kur një trajner i ri bën zgjedhje të mira, është mirë për të gjithë. Është më e lehtë për të trajnuar Real Madridin apo Romën sesa Shqipërinë. Solari ka një shans për të bërë një punë të mirë. Ai fitoi katër ndeshje dhe iu dha një kontratë deri në vitin 2021. Ai ka marrë një shans, sepse bëri një punë të shkëlqyer në ato pak ditë. Ne kemi parë tashmë atë që bëri Zizu me një skuadër vërtet të mirë.”- u shpreh trajneri kuqezi.

Ndërsa sipas Panuçin është ende herët për të gjykuar punën e Solarit në stolin e Real Madridit, i cili e filloi me humbje ndeshjen e tij të parë si trajner i përhershëm. Panuçi pëlqen këndvështrimin e Solarit sidomos pohimin e argjentinasit se lojtarët duhet të tregojnë që janë burra.

“Nëse humbi kundër Eibarit, duhet të reagojë shpejt, – shtoi Panuçi, duke sugjeruar se Real Madridit nuk do t’i mungojë motivimi kundër Romës, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, të martën. – “Kjo është ndeshja më e lehtë për një trajner, sa i takon motivimit. Por, Solari vjen nga një humbje, kështu që nuk është e lehtë për të. Sidoqoftë, me krenarinë që ka Real Madridi, e shoh favorit përballë Romës.”-ka thënë Panuçi.

Panuçi e gjen veten në një dilemë, përpara ndeshjes së të martës, në “Olimpico”. Ish-lojtari i kombëtares së Italisë e ka veshur fanellën e të dyja skuadrave, Romës dhe Real Madridit, gjatë një karriere të gjatë, të mbushur me trofe, që përfshinte edhe një periudhë të paharrueshme me Milanin e madh.

Për këtë arsye, ai e ka të vështirë të zgjedhë një fitues nga përplasja e sotme e Ligës së Kampionëve: “Kjo është një e pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Real Madridi është Real Madridi, e mbaj në zemër me krenari të madhe. Unë kam shumë miq atje. Kam luajtur tetë vite në Romë, edhe kjo është diçka e veçantë. Gjithsesi, e shoh këtë lojë ndryshe tani: shikoj taktikat, lëvizjet e trajnerëve për të mësuar diçka.”- ka mbyllur intervistën e tij trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë