Nga Gazeta ‘Si’- A po përpiqet Vladimir Putin t’i japë fund luftës së tij në Ukrainë?
Sipas raportimeve më të fundit, Kremlini ka nisur një “diplomaci të kanaleve të pasme” për të kontaktuar me zyrtarët e lartë në administratën e Joe Biden. Mesazhi i Putinit:të sinjalizojë se mund të pranojë një armëpushim, që i ngrin luftimet sipas vijës aktuale të frontit.
Reagimet mbi këtë lajm kanë qenë shumë të forta. Disa ukrainas, të fshehur në vendstrehime për shkak të sulmeve më të mëdha me raketa dhe dron nga Rusia që nga fillimi i luftës, dhe pikërisht gjatë festës së Krishtlindjeve, e panë atë si dëshmi të një komploti të poshtër të Uashingtonit për ta shitur Kievin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e hodhi publikisht poshtë nismën e Putinit. Ai e cilësoi atë si të pasinqertë, duke shtuar se nuk sheh “asnjë shenjë” se Rusia dëshiron vërtet që të negociojë.
“Ne po shohim vetëm gatishmërinë e tij kriminale për të vrarë”- deklaroi ai New York Times.
Në një farë kuptimi, Zelensky ka të drejtë: propozimi i Putinit për një armëpushim do të legjitimonte arritjet ushtarake të Rusisë në front, do ta lejonte Putinin të pretendojë fitoren, do të shpërblente agresionin rus, dhe do të ndante Ukrainën. As oferta e Putinit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, nuk tregon ndonjë vullnet të vërtetë për kompromis.
“Ne kemi treguar vazhdimisht se jemi në gjendje të zgjidhim detyrat më të vështira, dhe nuk do të tërhiqemi kurrë, sepse nuk ka forcë që mund të na ndajë”- u tha Putin rusëve në fjalimin e tij me rastin e Vitit të Ri. Gjithsesi, në thelbin e të manovrave të presidentit rus ka një të vërtetë të hidhur:në një masë të konsiderueshme, ndarja e Ukrainës është diçka që ka ndodhur tashmë.
Ndonëse askush në Uashington nuk dëshiron ta shprehë në publik, sfida kryesore me të cilën përballen këtë vit politikë-bërësit amerikanë, do të jetë mënyra se si të përballet me këtë realitet. Viti i kaluar i luftimeve të pafrytshme, ka treguar se çlirimi i territoreve të pushtuara do të kërkojë shumë më tepër jetë njerëzish dhe para sesa janë shpenzuar tashmë.
Para që SHBA-ja nuk është gjithnjë e më e gatshme t’ia sigurojë Kievit. Anasjelltas, pranimi i aneksimit nga Moska të 4 rajoneve të Ukrainës Jugore, të cilat Putini i ka shpallur si pjesë zyrtare të Rusisë, do të përfaqësonte një poshtërim të madh për SHBA-në dhe aleatët e saj.
Me gjithë sakrificën, trimërinë dhe zgjuarsinë e Ukrainës, rezultati përfundimtar i luftës do të përcaktohet jo në Kiev, por në Uashington, që i ofron edhe pjesën më të madhe të ndihmës ushtarake. Megjithëse Biden është zotuar vazhdimisht se nuk do të firmosë kurrë një marrëveshje në kurriz të ukrainasve, e vërteta është se Uashingtonit është gati ta ndërpresë ndihmën e tij ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
Për këshilltarin e ngushtë të Zelensky, Mykhailo Podolyak, rruga e vetme e mundshme është që Perëndimi të sigurojë armatime të mjaftueshme për Ukrainën, që ajo t’i shkaktojë Putinit një humbje vendimtare. “SHBA-ja duhet ta kuptojë qartazi se çfarë është në lojë në këtë konflikt…Ne jemi në një moment historik, kur Perëndimi duhet të zgjedhë vetë rrugën do të ndjekë për 10 apo 20 vitet e ardhshme.
Nëse ne nuk e mposhtim Rusinë tani, ajo do të investojë para në destabilizimin e gjithë botës, dhe atëherë Perëndimi duhet të shpenzojë shumë më tepër para në përpjekje për ta mbrojtur veten nga kaosi në rritje”- më tha Podolyak në Kiev muajin e kaluar.
Për këtë arsye, shefi i ushtrisë së Ukrainës, gjenerali Valery Zaluzhny, ka përpiluar një listë armësh të fuqishme, për të cilat ai thotë se mund të ndryshojnë ekuilibrat në front, sidomos avionët F-16, artileria raketore ATACMS me rreze të gjatë dhe raketat britaniket Storm Shadow dhe ato gjermano-suedeze Taurus. Por edhe Zaluzhny e pranoi në nëntor, se është jo realiste “një përparim si me magji” për të çliruar të gjitha territoret e pushtuara.
Luftimet gati 2-vjeçare me koston e dhjetëra mijëra jetëve ukrainase dhe 67 miliardë dollarëve ndihma ushtarake amerikane, nuk kanë arritur të lëvizin shumë linjat e frontit. Ukraina Jugore është një vend i sheshtë, dhe kjo e favorizon artilerinë dhe fuqinë ajrore superiore të Rusisë, për të mos përmendur linjat e saj të thella mbrojtëse shumë të minuara.
Kievi ka nevojë për një shtim të konsiderueshëm të mbështetjes së SHBA-së që të kthejë fatin e betejës kundër Rusisë. Por realiteti i zymtë, është se vektori politik në SHBA po shkon në drejtimin e kundërt. Edhe vazhdimi i niveleve ekzistuese të ndihmës, për të mos folur për një rritje të madhe të saj, po rezulton të jetë tashmë një sfidë e madhe për Biden.
Kongresi mbetet i bllokuar lidhur me këtë çështje. Shumë republikanë të njohur – dhe më së shumti Donald Trump – janë kundër vazhdimit të ndihmës për Kievin. Me mundësinë në horizont të një administrate të ardhshme Trump, Putin ka çdo lloj nxitje për të pritur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA këtë nëntor, përpara se të finalizojë ndonjë marrëveshje.
Por çdo marrëveshje që mund të arrinte Trump mbi Ukrainën, do të ishte në fakt jo shumë ndryshe nga ajo që është e disponueshme për Biden. Synimi i deklaruar i luftës për Kievin për të rivendosur kufijtë e tij të vitit 1991, ka logjikën dhe virtytin e të qenit i drejtë sipas ligjeve ndërkombëtare.
Por edhe nëse do të jetë i mundur çlirimi i plotë i Khersonit, Zaporizhias, Donbasit dhe Krimesë nga pikëpamja ushtarake, ri-integrimi i tyre në Ukrainë do ta bënte vendin më të sigurt dhe më të qëndrueshëm apo e kundërta? Deri në 130.000 burra të mobilizuar nga Donbasi kanë luftuar për rusët në vijën e frontit.
Këta nuk ka gjasa të dorëzojnë armët në masë dhe të mirëpriten nga ata ndaj të cilëve kanë luftuar që nga viti 2014. Në të njëjtën kohë, autoritetet ruse kanë eliminuar opozitën në territoret e pushtuara. Qytetarët pro-ukrainas që nuk kanë ikur janë arrestuar, torturuar dhe dëbuar.
Me informacionin shumë të kontrolluar dhe mbylljen e mediave lokale, është e vështirë të vlerësohet besnikëria dhe ndjenjat e vërteta të njerëzve që jetojnë sot në territoret e pushtuara nga Rusia. Por bisedat me disa nga kontaktet e mia të vjetra në Donbas, tregojnë një lodhje të madhe nga lufta, dhe një kundërshtim të fortë ndaj çlirimit nga forcat e Ukrainës.
“Disa njerëz janë të zemëruar që Kievi i braktisi, të tjerë janë të zemëruar që Kiev rezistoi dhe shkaktoi kaq shumë shkatërrime”- thotë një gazetar i zonës që e takova për herë të parë në Donetsk në 2014, për një udhëtimin tim të fundit në Mariupol.
“Por mbi të gjitha, njerëzit nuk duan që lufta të kthehet në shtëpitë e tyre. Atyre nuk u intereson se çfarë ngjyre është pasaporta e tyre”- theksoi ai. Edhe përpara ofensivës së plotë të Putinit në shkurt 2022, diskutimi publik i ndarjes ishte një tabu politike në Ukrainë.
Gjithsesi vetë Zelensky ishte i gatshëm të pranonte një gënjeshtër në formën e një “statusi special” për Republikat Popullore të vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk dhe brenda një Ukrainë të federalizuar. Por me aneksimin zyrtar të rajoneve të pushtuara në kushtetutën e Federatës Ruse në shtator 2022, nuk është më i mundur ky lloj kompromisi.
Pranimi zyrtar i humbjes së territorit, do të jetë politikisht vetëvrasës për çdo president ukrainas. Por një armëpushim nuk nënkupton domosdoshmërisht një njohje zyrtare të humbjes së territorit. Për shembull,qeveria e Republikës së Qipros nuk e njeh ekzistencën e Qipros Veriore të pushtuar nga turqit, por pushtimi nuk e pengoi pranimin e Qipros në BE. Në Ukrainë figura të njohura, përfshirë ish-këshilltarin e Zelensky, Oleksiy Arestovych, po bëjnë hapur thirrje që Kievi të lërë territoret tashmë të pushtuara. “Nëse humbja e Donbasit dhe Krimesë është çmimi që duhet të paguajë Ukraina për anëtarësimin në BE dhe NATO, atëherë ia vlen të paguhet”- shkroi Arestovych në Twitter gushtin e vitit të kaluar, duke nxitur një varg polemikash, të cilat kulmuan me detyrimin e tij për t’u larguar nga Ukraina.
“Unë e konsideroj veten një emigrant politik”- më tha ai muajin e kaluar. “Ne duhet ta shkëputim Donbasin nga vetja si një gjymtyrë gangrenoze”- thotë një tjetër ish-anëtar i rëndësishëm i kabinetit të Zelensky, që tani po mendon një karrierë politike në opozitë.
Sipas tij asgjë e mirë nuk do t’i vijë ndonjëherë Ukrainës nga Donbasi. Edhe vetë Podolyak, që mbetet një aleat i ngushtë i Zelensky, e pranon: Ne po flasim për mposhtjen e Rusisë, dhe jo për territorin”.
Problemi me të cilin përballen politikë-bërësit perëndimorë, është se sado e dëmtuar të jetë Rusia nga lufta, edhe vetëm duke mos humbur, Putin është ende i fituar. Biden ka dështuar të mobilizojë vullnetin e duhur politik për ta shndërruar Ukrainën një luftë globale për demokracinë, apo Perëndimin në arsenalin e tij.
Ndaj pranimi i realiteteve në terren – ndarja de facto e Ukrainës përgjatë vijës aktuale te frontit, e mbështetur nga garancitë e sigurisë për Kievin por pa anëtarësimin e plotë në NATO – mbetet si zgjidhje e vetmja e mundshme.
Burimi: The Spectator/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




