Nga Gazeta Si- Për 2 vite, që pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, vendet perëndimore janë përpjekur të shpëtojnë marrëdhëniet e tyre me vendet e Hemisferës Jugore, që kanë qenë të pakënaqura me mungesën e sinqeritetit tek të gjitha thirrjet e bëra për respektimin e ligjit ndërkombëtar.
Por ngjarjet e 7 tetorit dhe reagimi i Izraelit, i hodhën në erë të gjitha këto përpjekje. Sot ndarja midis palëve duket e plotë dhe e pakthyeshme. Opinioni publik në vendet jugore (madje edhe më shumë se sa qeveritë e tyre) është rreshtuar në anën e banorëve të Rripit të Gazës, që po vdesin prej 3 muajsh nën bombardimet e ushtrisë izraelite.
Ai po i drejtohet perëndimorëve duke u thënë: ”Çfarë ndodhi me fjalimet tuaja mbi sundimin e ligjit, krimet e luftës dhe drejtësinë?”. Është një arsyetim që nuk merr parasysh një histori të gjatë dhe tragjike. Megjithatë, fakti është se brutaliteti i ofensivës izraelite dhe imazhet e viktimave civile palestineze të përhapura në rrjetet sociale, krijojnë një situatë të pajustifikueshme për ata që e mbrojnë Ukrainën nga agresioni rus.
Mesazhi unanim nga banorët e Hemisferës Jugore, por edhe nga disa prej atyre në vendet e pasura (duke filluar nga Shtetet e Bashkuara) është më se i qartë:ju nuk mund të na jepni më leksione morali. Dhe në fakt, perëndimorët duhet të fajësohen për këtë situatë.
Për dekada me radhë, ata e injoruan çështjen palestineze, duke e konsideruar atë si shumë komplekse, dhe me sa duket si diçka që mund ta mbahej nën kontroll. Kjo edhe duke pasur parasysh se vendet arabe po rivendosnin njëra pas tjetrës marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Amerikanët, të cilët para 7 tetorit ishin të angazhuar me negociatat për afrimin midis shtetit hebre dhe Arabisë Saudite, janë tashmë shumë të fokusuar mbi menaxhimin e krizës. Presidenti i SHBA-së Joe Biden e sheh veten në pozitën e vështirë të të qënit garant i sigurisë së Izraelit përballë një sulmi të Hamasit, pa pasur as besimin më të vogël tek lideri i këtij vendi, Benjamin Netanyahu.
Evropianët duhet të punojnë më shumë për të arritur armëpushimin
Shtetet e Bashkuara i dërgojnë Izraelit sasi të bollshme municioni, dhe garantojnë (për mirë a keq) ekuilibrin rajonal duke e frenuar Iranin dhe aleatët e tij libanezë dhe jemenas, për të mos përmendur 2 vetot e Uashingtonit ndaj kërkesave të përsëritura për armëpushim në Kombet e Bashkuara.
Për këtë arsye, në sytë e pjesës tjetër të botës, janë krejtësisht të pakuptueshme kritikat e SHBA-së ndaj strategjisë izraelite dhe numrit të viktimave në radhët e civilëve: Nëse nuk jeni dakord me të, atëherë pse vazhdoni t’i jepni Izraelit mjetet për të ecur përpara në strategjinë e tij brutale për eliminimin e Hamasit?
Evropianët janë më pak të përfshirë (si në aspektin e mbështetjes ashtu edhe të ndikimit), por deklaratat e tyre për një mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin, në vazhdën emocionale të ngjarjeve të tmerrshme të 7 tetorit, bien ndesh me hezitimin e shfaqur ndaj reagimit jo-proporcional të shtetit hebre.
Në fakt, ne evropianët duhet të punojmë shumë për të arritur një armëpushim. Sepse deklaratat e ndrojtura dhe sporadike, nuk mund të arrijnë deti tek vendet e Jugut Global, që janë të bindura se Evropa zgjedh gjithmonë një heshtje hipokrite kur viktimat nuk janë evropianë.
Ndihma humanitare është sigurisht e rëndësishme, por ajo nuk mjafton për të zhdukur ndjenjën e bashkëfajësisë perëndimore në vdekjen e fëmijëve në Gaza. Perëndimorët mund të rifitonin njëfarë besueshmërie, vetëm nëse do të nisin të flasin seriozisht për një zgjidhje politike të konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve.
Në këtë kuptim, testi i parë nuk do të zhvillohet në Gaza, por në Bregun Perëndimor, ku më shumë se beteja kundër Hamasit, në lojë është kolonizimi dhe lufta e përgjakshme për tokë dhe hapësirë (500 të vrarë vetëm gjatë vitit 2023).
Para se të gjendet një zgjidhje politike, duhet të zgjidhet edhe kjo çështje, sepse ne nuk mund ta dënojmë ekspansionizmin rus në Ukrainë, dhe në të njëjtën kohë të heshtim për kolonizimin e Bregut Perëndimor. Pjesa tjetër e botës po na shikon.
Burimi: Internazionale. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



