Nga Gazeta Si- Ndërsa dhjetëra konflikte kanë grabitur pamëshirshëm të ardhmen e dhjetëra mijëra fëmijëve, viti 2023 do të mbahet mend si “një nga vitet më të vështira” për të qenë fëmijë, sipas UNICEF që e ka shpallur edhe si një nga vitet më të vështira për fëmijët për shkak të konflikteve dhe problemeve ekonomike.
Ky vit ka qenë i vështirë edhe për fëmijët në Shqipëri, ku sociologe Marsida Simo thotë se ky vit po përmbyllet me shumë problematika të vjetra të mbartura dhe të tjera të krijuara për fëmijët.
“Problemet e mbartura lidhen me mosgarantimin e të drejtave bazë për shumë fëmijë të cilët ende jetojnë në kushte ekstreme, nuk kanë mundësi të arsimohen dhe jeta e tyre që në hapat e para është e pafavorshme dhe jo e barabartë me fëmijët e tjerë”, thotë Simo, duke shtuar se ndërkohë edhe për këtë vit, pavarësisht ndryshimeve, zhvillimeve, apo nxitjes në arsim, ende elementet thelbësore kanë mbetur po ato.
“Madje të dhënat e fundit nga PISA e konfirmuan gjendjen e nxënësve dhe arsimit në vendin tonë”.
Shqipëria është renditur mes vendeve të fundit në listën e PISA-s që mat performancën e 15-vjeçarëve në matematikë, lexim dhe shkencë.
Përpos këtyre të dhënave dhe rezultateve, thotë Simo, shqetësimi më i madh është se fëmijët në Shqipëri nuk janë të lumtur. Pavarësisht se lumturia përceptohet si abstrakte apo personale, për fëmijët është mëse e kuptueshme që nuk mund të jenë të lumtur kur nuk iu sigurohen të drejtat bazë, kur ka ende prindër që dhunojnë të vegjlit e tyre, kur ka edukatore që shkaktojnë fraktura dhe trauma psikoligjike, kur aktivitetet jashtë shkollore janë me pagesë, kur koha më e madhe e fëmijëve kalohet para ekranit.
Sociologia përmend edhe një fenomen tjetër siç është përdorimi i substancave të ndaluara nga fëmijët dhe adoleshentët.
“Është për të ardhur keq që cepat e pallateve, skutat gjarpëruese janë vendet ku gjen adoleshentë që kënaqësinë e tyre e stimulojnë duke konsumuar drogë. Madje për përdorimin e kanabisit, Shqipëria ka një prevalencë të rritur vitet e fundit”, thotë Simo.
Më herët, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur për “prezencën e lloje drogrash të panjohura më parë”, që përdoren edhe nga fëmijë 10 vjeç.
Një ndër to ishte edhe përdorimi i tollumbaceve me azot që u kthye shumë shpejt në një shqetësim për vendin tonë dhe vuri në alarm autoritetet, duke bërë që ta klasifikonin azotin në listën e lëndëve të ndaluara psikotrope.
Simo thotë se ky vit ishte gjithashtu me shumë ngarkesa emocionale edhe për prindërit të cilët tkurrën shpenzimet e tyre nga frika e krizës ekonomike dhe pasigurisë për të ardhmen.
“Të gjitha këto frikëra dhe emocione sigurisht transmetohen te fëmija”.
Një faktor tjetër që e bëri vitin “një nga më të vështirët” ishin fondet e pamjaftueshme për mbrojtjen e fëmijëve, duke dëmtuar fëmijët që kanë nevojë për ndihmë, veçanërisht në zonat e konfliktit në vazhdim, pasi “nuk mund të bësh më shumë me më pak”, tha zëvendësi i UNICEF-it Ted Chaiban.
“Mendoj se viti 2023 ka qenë një nga vitet më të vështira për fëmijët në mbarë botën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



