Nga Gazeta ‘Si’-Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RKZ) njoftoi më 29 dhjetor se hodhi poshtë kërkesën e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” (SPN) për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor.
Siç ka thënë RKZ, ajo listë për zgjedhjet në qytetin e Beogradit nuk është e autorizuar të paraqesë kërkesë në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve.
Nënkryetari i RKZ-së, Marko Jankoviç, ka thënë se ankesa është dorëzuar nga personat e autorizuar të listës së Beogradit në Komisionin e Zgjedhjeve të Qytetit, i cili është deklaruar jokompetent dhe e ka dërguar për vendim në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve.
Ai ka deklaruar se “Serbia kundër dhunës” ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Lartë në Beograd, e cila ka vendosur ta refuzojë atë si të pabazuar, meqë Komisioni i Zgjedhjeve i Qytetit nuk është realisht kompetent për këtë çështje.
Jankoviç shtoi se “Serbia kundër dhunës” kërkoi anulimin e të gjitha vendeve nën juridiksionin e komisionit, duke u nisur, siç tha ai, nga “fakti që zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të shkeljes së rëndë të rregullave dhe se i gjithë procesi ishte i paligjshëm”.
Disa anëtarë të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve propozuan që ky institucion të shpallet jokompetent për shkak se ankesa është dërguar në Komisionin e Zgjedhjeve të Qytetit dhe se ky institucion duhet të vendosë meqë nga konteksti është e qartë se nënkuptohen vetëm zgjedhjet e qytetit.
Lista më e madhe opozitare “Serbia kundër dhunës” akuzoi Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje pas zgjedhjeve.
Që atëherë, në rrugët e Beogradit janë mbajtur protesta duke kërkuar anulimin e rezultateve dhe përsëritjen e zgjedhjeve, disa nga drejtuesit e saj janë në grevë urie, si dhe organizatat studentore kanë organizuar protesta./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



