Mungesa e gjumit të mjaftueshëm ose gjumi i dobët mund të ndikojë shumë në shëndetin tuaj mendor, sipas një studimi të ri që analizon 50 vjet kërkime.
“Ne zbuluam se të gjitha format e humbjes së gjumit, privimi total i gjumit, humbja e pjesshme e gjumit dhe gjumi i keq rezultuan në ndryshime emocionale. Efekti më i fortë dhe më i qëndrueshëm ishte se humbja e gjumit zvogëloi të menduarit pozitiv”, thotë bashkë-autorja Cara Palmer, pedagoge në Universitetin Shtetëror të Montana në Bozeman.
“Ne gjithashtu zbuluam se humbja e gjumit rrit ndjenjat e ankthit,” thotë Palmer.
Kur përjetonin ngjarje emocionale, njerëzit reagonin ndryshe, në bazë të cilësisë së gjumit, ku personat që kishin fjetur më pak i përjetonin ngjarjet më keq dhe më shumë.
Të rriturit mbi 18 vjeç kanë nevojë për të paktën shtatë orë gjumë gjatë natës për të qenë të shëndetshëm, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Në gjithë botën, individët rrallë bëjnë sasinë e rekomanduar të gjumit për të paktën 5 netë në javë”, thotë bashkë-drejtues i studimit Jo Bower, pedagog në Universitetin e Anglisë Lindore në Norwich, “Puna jonë tregon pasojat e mundshme të kësaj për shëndetin tonë emocional, në një kohë kur problemet e shëndetit mendor po rriten me shpejtësi.”
Llojet e humbjes së gjumit
Botuar të enjten në revistën Psychological Bulletin të Shoqatës Psikologjike Amerikane, hulumtimi analizoi të dhënat nga 154 studime mbi më shumë se 5000 njerëz përgjatë pesë dekadave.
Në ato studime, studiuesit ndërprenë gjumin e pjesëmarrësve për një ose më shumë netë, ose duke i mbajtur ata zgjuar (privim gjumi), duke i zgjuar periodikisht (fragmentimi i gjumit) ose duke i bërë ata të ngrihen më herët se zakonisht (humbje e pjesshme e gjumit). Më pas, pjesëmarrësit u testuan për ankthin, depresionin, gjendjen shpirtërore dhe përgjigjen e tyre ndaj nxitësve emocionalë.
“Në përgjithësi, privimi total i gjumit kishte një ndikim më të madh në disponimin dhe emocionet në krahasim me humbjen e pjesshme të gjumit ose gjumin e fragmentuar,” tha Palmer. “Megjithatë është interesante se efekti i gjumit në humor pozitiv ndodhi edhe pas periudhave të shkurtra të humbjes së gjumit, si të qëndruarit zgjuar një ose dy orë më vonë se zakonisht ose pasi të keni humbur vetëm disa orë gjumë.”
“Metanaliza e madhe dhe gjithëpërfshirëse thekson lidhjet e forta midis shëndetit mendor dhe gjumit”, tha specialisti i gjumit dhe pulmonologu Raj Dasgupta.
Çfarë është gjumi që e bën trupin tonë të sillet në këtë mënyrë? Përgjigjet qëndrojnë në tru, thotë Palmer.
Lidhjet midis qendrave tona emocionale të trurit dhe korteksit tonë paraballor, i cili na ndihmon të kontrollojmë siç duhet reagimet tona emocionale, janë të dëmtuara.
Ndikimi në ankth dhe depresion
Humbja e gjumit gjithashtu përkeqëson simptomat e ankthit dhe depresionit, sipas studimit, edhe tek njerëzit pa kushte të njohura shëndetësore psikiatrike ose fizike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




