Drejtësia

Apeli e liroi, por SPAK bën rekurs në Gjykatën e Lartë: Jamarbër Malltezi të kthehet në qeli

Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish kryeministrit Sali Berisha, ku kërkon rikthimin e tij në qeli.

Malltezi, i akuzuar për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të klubit “Partizani”, është vënë në pranga më 21 tetor të këtij viti, ndërsa masa e “arrestit shtëpiak” u caktua më 21 nëntor.

Ishte gjyqtarja Iliriana Olldashi, ajo e cila ndryshoi masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në arrest shtëpie’ për dhëndrin e Sali Berishës, i cili u arrestua nga SPAK.

Mëngjesin e kësaj të premteje, Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit për kthimin e celularit të sekuestruar dhe dokumenteve të studio “Pustina”.

Masa e sekuestros është lënë në fuqi, kështu që telefoni i Malltezit mbetet në duart e SPAK.

Malltezi akuzohet nga SPAK për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” në procedimin penal për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.

Sipas prokurorisë, dyshimet janë për favorizim në miratimin e ligjeve dhe akteve të tjera për të çuar drejt privatizimit të kompleksit Partizani, i cili ka qenë terren sportive.

Së bashku me ta, nën hetim është edhe Fatmir Bektashi, pronar i kompanisë “Kontakt”, pasi dyshohet se përmes këtij subjekti ka përfituar në mënyrë të padrejtë edhe Malltezi.

Të akuzuarit kanë kundërshtuar akuzat e ngritura, duke theksuar se Malltezi ka përfituar pjesën që i takon si ish-pronar i truallit dhe se ka kryer veprimtari ligjore në kompaninë që ndërtoi mbi sipërfaqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë