Drejtësia

‘Partizani’ / Apeli i Posaçëm lë në fuqi sekuestron e 25 pasurive të Jamarbër Malltezit

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit, ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit për heqjen nga sekuestro të 25 pasurive të bllokuara në lidhje me aferën "Partizani".

Gjyqtarja Iliriana Olldashi, ka lënë kështu në fuqi vendimin e një shkalle më poshtë për sekuestron preventive të pasurive.

Në këtë mënyrë, gjyqtarja që liroi Malltezin nga masa e "arrestit me burg" në "arrest shtëpie", nuk ka ndryshuar vendimin e një shkalle më poshtë për pasuritë e dhëndrit të ish-kryeministrit.

Më herët, SPAK kërkoi përjashtimin e gjyqtares Olldashit nga çështja me argumentin se është në konflikt interesi, por u rrëzua nga Apeli i GJKKO-së.

Ishte gjyqtarja Miliana Muça ajo që rrëzoi kërkesën për përjashtimin e gjyqtares nga shqyrtimi i kërkesës për sekuestron e pasurive të bllokuara të Jamarbër Malltezit.

SPAK kërkoi dorëheqjen e gjyqtares, me argumentin se ka konflikt interesi. Sipas SPAK, gjyqtarja ka blerë shtëpi në kompaninë, e cila ndërtoi në kompleksin “Partizani”, për të cilën akuzohet Berisha dhe Malltezi.

Po ashtu, Olldashi është gjyqtarja që ndryshoi masën e sigurisë të Malltezit, nga “arrest në burg” në "arrest shtëpie”.

Por Miliana Muça, nuk është shprehur ende për të njëjtat kërkesa të SPAK, që kërkon përjashtimin e Olldashit në seancën për Berishën dhe Malltezin, të cilat zhvillohen më vete.

Jamarbër Malltezit i janë sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë, 6 llogari bankare dhe aksione në kompani.

Pak ditë më parë, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi të nxirrte nga qelia Malltezin, duke i caktuar masën e sigurisë nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”.

Megjithatë, pas këtij vendimi, Prokuroria e Posaçme do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër lirimit nga burgu të Jamarbër Malltezit.

Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.

Gjyqtarja Ilirjna Olldashi, argumentoi për dhënien e vendimit se Malltezi nuk mund të prishë provat dhe nuk ka rrezik të largohet jashtë vendit.

Ndërkohë që prokurorët e SPAK-ut, kërkojnë qëndrimin në burg të Malltezit, pasi sipas tyre nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë