Drejtësia

SPAK dorëzon në Gjykatën e Posaçme kërkesën ‘arrest në shtëpi’ për Berishën. Seanca për masën më 26 dhjetor

Gazeta Si - SPAK ka dorëzuar kërkesën në GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha, pas marrjes së autorizimit për heqjen e imunitetit si deputet nga Kuvendi.

Prokurorët kanë kërkuar "arrest shtepie" për Berishën, nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv "Partizani", ndërsa seanca për zëvendësimin e masës është caktuar të zhvillohet në datën 26 dhjetor (e martë), ora 10:00.

"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 22.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal për personin nën hetim Sali Berisha, si i dyshuar për figurën e veprës penale 'Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë', kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Bazuar në nenin 260 pika 4 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 26.12.2023, ora 10:00", - thuhet në njoftimin për mediat të shpërndarë nga GJKKO.

Kanë qenë dy prokurorët e posaçëm, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, ata që dorëzuan këtë të premte kërkesën për arrestimin e ish kryeministrit Berisha, pranë gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka.

Me 75 vota pro, Kuvendi zhveshi një ditë më parë nga imuniteti Sali Berishën, duke i hapur rrugën arrestimit të tij.

Berisha e kundërshtoi këtë vendim, duke e cilësuar si “hakmarrje politike” dhe duke paralajmëruar se PD do ngrejë padi penale ndaj dy prokurorëve të SPAK.

Pas mbledhjes së gjatë në selinë blu, ai deklaroi para mediave se është “më i fortë se kurrë” dhe se me çështjen e tij do merren avokatët.

Berisha ka thënë se nuk i druhet një arresti shtëpiak, pasi sipas tij gjithë procesi gjyqësor është kryer në shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Nga selia e PD-së, Berisha tha se do të këshillohet me avokatët e tij për vendimin që do të marrë Gjykata e Posaçme ndaj tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë