Gazeta Si - Një javë pas vrasjes së Arben Lleshit në burgun e Peqinit, Florenc Doka është emëruar drejtori i ri i burgut të sigurisë së lartë në këtë IEVP.
Mësohet se emërimi i Dokës është firmosur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Florenc Doka më herët ka qenë pjesë e sistemeve të burgjeve, ndërsa është prezantuar në këtë detyrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija.
Emërimi i tij vjen pas arrestimit të ish-drejtorit të burgut Kamber Hoxha dhe zyrtarëve të tjerë pas vrasjes së Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj në burgun e Peqinit.
Nga ngjarja që ndodhi më 15 dhjetor mbeti i plagosur edhe një i dënuar tjetër me burgim të përjetshëm, Indrit Shaqja.
Të premten e aluar, më 15 dhjetor, Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i transferuar në regjimin "41 Biss", vrau me armë zjarri të burgosurin tjetër Arben Lleshi, si dhe plagosi një tjetër të dënuar, Ilir Shaqjen.
Për ngjarjen u arrestuan edhe 12 efektivë të burgut të Peqinit, mes të cilëve edhe drejtori, Kamber Hoxha.
Gjykata caktoi masën e siguriës "arrest në burg" për të gjithë, me përjashtim të shefit të regjimit të brendshëm, Vilson Shima.
Masat e miratuara, "arrest me burg": Sokol Mjacaj, Kamber Hoxha, Qani Muça, Nikolin Gjonpali, Arben Dulellari, Ilir Balla, Florenc Mile, Fatos Pire, Genci Muça, Klement Haka, Erjon Çilaj, Indrit Dubali.
Autoritetet po hetojnë për pistën e vrasjes me pagesë, ndërsa dëshmitë e të arrestuarve dhe të burgosurit të plagosur, Ilir Shaqja, kanë hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.