Dosje

Burgu i Peqinit si hotel/ Pa skaner e kamera, por me dhoma të privatizuara dhe arreduara

Gazeta Si - Vrasja në burgun e Peqinit, ku humbi jetën një i dënuar përjetë dhe një tjetër u plagos, ka zbuluar një tjetër skandal.

Në burgun e sigurisë së lartë, përveç se nuk kishin punuar skanerët dhe kamerat e kontrollit, të dënuarit jetonin si në hotel falë investimeve private.

Drejtori i komanduar Kamber Hoxha, në burg tashmë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, dy javë para ngjarjes së rëndë kishte paralajmëruar eprorët e tij për problematikat e IEVP-së që drejtonte.

Në një letër dërguar në 30 nëntor 2023 drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve Admir Abrija, ai e informon për situatën e konstatuar.

Në pikën tre të dokumentit, thuhet se të dënuarit i kanë shndërruar qelitë si ambiente të privatizuara, ku edhe kanë kryer investime akomodimi dhe arredimi me mobilie.

“Të burgosurve, iu është lejuar ndërhyrja/investimi në dhoma (rikonstruktim/kompletim), tashmë thuajse të privatizuara, ndërhyrja në dhoma ka kufizuar shumë mundësinë e kontrolleve për elemente” shkruhet në letër. Ato që kanë qenë dhoma speciale, janë arreduar dhe kthyer në dhoma të personalizuara.

“Në dhomat të takimeve të zgjatura (speciale) janë bërë ndërhyrje nga të burgosurit (arredime/kompletim me krevate/dyshekë/kondicionerë/televizorë/ekspres kafeje etj), nga informacionet që kemi këto dhoma janë të personalizuara” evidentohet më tej.

Në to, gjenden pajisje elektro-shtëpiake, frigoriferë, soba me korrent, thekëse buke, shtrydhëse frutash, televizorë, ekspres kafeje etj., ndaj dhe është e pamundur kontrolli për sende të paligjshme.

Një tjetër problem që cënon sigurinë sipas Hoxhës, janë drynat dhe shulat e qelive jashtë çdo standardi.

Kamber Hoxha shkruan se skaneri për zbulimin e sendeve të paligjshme nuk funksiononte e po ashtu edhe sistemi i kamerave.

Në një rast, drejtori i komanduar shprehet se i dënuari Ilir Kupa kishte arritur të priste kasën metalike të derës dhe sipas tij ky veprim cenon sigurinë e të dënuarve të tjerë.

Edhe ato që dikur kanë qenë ambiente të përbashkëta janë kthyer në ambiente të personalizuara për të dënuarit përjetë

“Në të tre godinat (A/B/C), pothuajse të gjitha ambientet e përbashkëta (dushe/klasa/dhoma këshillimi) e kanë humbur destinimin e tyre pas janë shndërruar në, palestra të personalizuara (ku jo të gjithë të burgosurit e kanë mundësinë ti frekuentojnë), vende ku ushtrohen punime artizanale, lavanteri të personalizuara etj.....”, - shkruajnë zyrtarët e burgut.

Por duket se alarmi i drejtorit Kamber Hoxha nuk është marrë parasysh, duke sjellë në 15 dhjetor sulmin me armë, ku humbi jetën Arben Lleshi dhe u plagos Indrit Shaqja.

Drejtori i komanduar Kamber Hoxha së bashku me 10 vartës të tij u lanë në burg nga Gjykata e Elbasanit. Ata do të hetohen për “shpërdorim detyre” në rastin e vrasjes së të dënuarit Arben Lleshi nga Sokol Mjacaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë