Menaxhim

Nis ndërtimi i linjës energjetike 400 kv Shqipëri – RMV, kapaciteti total i transmetimit arrin 1.5 mijë megavat

Nga Gazeta ‘SI’ – Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, OST, Skerdi Drenova njoftoi sot nisjen e punës për ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë 400 kv Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Duke e cilësuar si një projekt me rëndësi të madhe, Drenova tha se kjo linjë do të rrisë kapacitetin total të transmetimit të linjave shqiptare në 1.500 megavat. Linja 400 kv do të përfshijë ndërtimin e stacionit Elbasan- Qafë Thanë Elbasan- Fier 3 dhe zgjerimin e stacionit të Fierit.

Administratori i OST tregoi se finalizimi i kësaj linje, do ta bëjë Shqipërinë të lidhur energjetikisht me të gjithë fqinjët tokësorë të saj.

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë Belinda Balluku theksoi se ky projekt lidhet me Korridorin e 8, që përveç se një korridor infrastrukturor është edhe energjetik.

“Shqipëria gjendet në zemër të këtij korridori. Shqipëria është një vend i vogël, por me një strategji agresive për të ardhmen. Strategjia do ta kthejë Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë me rëndësi për të gjithë Ballkanim. Kjo linjë i shton 1.5 megavatorë kapacitet transmetuese.”

Ndër të tjera, Balluku njoftoi se nën menaxhimin e KESH, do të nisë tashmë ndërtimi i një parku të ri fotovoltaik, në Belsh, me një kapacitet prej 50 megavat dhe me mbështetje 10 milionë euro. Po ashtu, ajo tha se mbi 50% e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë si pjesë e Korridorit 8 do të financohet nga WBIF, 62 mln euro.

“Ne do të aplikojmë më vonë për mbështetje edhe për pjesën tjetër të hekurudhës, Rrogozhinë-Pogradec. Ne kemi negociuar me palën greke për të rritur kapacitetin e transmetimit mes dy vendeve. Kemi arritur një marrëveshje me palën italiane, për të ndërtuar linjën e transmetimit energjetik, Shqipëri- Itali. Një linjë nënujore që ka mbetur në sirtar për shkak të kompleksitetit dhe kapitalit të kërkuar”, përfundoi Ballukut.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner e quajti po ashtu një ngjarje madhore për Shqipërinë e cila tashmë mund të shesë tepricën e saj energjetike drejt Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, të rrisë të ardhurat dhe të ndihmojë fqinjët në kohë krize.

“Ky projekt është në të mirë të shqiptarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por është gjithashtu rajonal pasi kjo linjë e re mbyll unazën e shkëmbimit të energjisë Shqipëri-Greqi dhe Maqedoni e Veriut. Do të mundësojë dhe lidhjen me Bullgarinë dhe Italinë. Duke u bërë kështu edhe projekt europian. Do të përmirësojë eficiencën, më pak humbje në transmetim dhe humbje teknike. Ky është hap madhor”, u shpreh ambasadori gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë