Gazeta Si - Sokol Mjacaj e ka mësuar nga të dënuarit e tjerë se do të transferohej në regjimin e ashpër “41 Biss”.
Pas këtij “informacioni”, dyshohet se ka kryer vrasjen e Arben Lleshit dhe plagosjen e të burgosurit tjetër Indrit Shaqja me pistoletë.
Detjate të reja kanë dalë nga burimet hetimore, sipas të cilave hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur të premten pasdite në burgun e Peqinit.
Po ashtu, Mjacajt, sipas burimeeve paraprake, i është sekuestruar një aparat celular rreth 3 muaj më parë nga kontrollet e ushtruara në ambientet e burgut.
Aparati celular pritet t’i nënshtrohet një ekspertize të plotë për të gjurmuar telefonatat e tij me persona me rekorde kriminale jashtë qelisë.
Hetuesit shpresojnë se aty mund të gjejnë materiale dhe biseda, që do t’i shërbejnë hetimeve.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, i dënuari me burg përjetë deklaroi ndër të tjera se po të mos e mësonte se do të futej në izolim, nuk do ta kryente vrasjen atë ditë.
Për regjimin “41-Biss”, 28-vjeçari thotë se ka dëgjuar nga të burgosurit e tjerë, të cilët i kanë shprehur se “qenke i rrezikshëm ti Sokol dhe do të fusin në izolim”.
Sokol Mjacaj është pyetur edhe për porosinë që dyshohet se ka marrë nga jashtë për të kryer vrasjen, por ka mbajtur të njëjtin qëndrim se e vrau Arben Lleshin për sherrin që kanë patur brenda burgut.
Ai qëlloi 5 herë me pistoletën me mulli, dhe 4 prej plumbave i mori LLeshi, në qafë dhe gjoks, ndërsa i plagosur Indrit Shaqja mori një plumb në pjesën e barkut, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pasi ka vrarë Arben Lleshin, disa të burgosur të tjerë e kanë ndjekur Mjacajn dhe kanë tentuar ta ndalojnë, por i ka kërcënuar se do t’i vriste dhe ata dhe më pas është mbyllur tek dhoma e takimeve.
Ai nuk ka pasur më plumba, por ka kërcënuar se nëse do e ndiqnin do të vriste këdo.
Në përpjekje për të zbuluar më shumë, policia ka kryer 2 kontrolle banesash në Dukagjin, në banesën e Sokol Mjacajt dhe vëllait të tij.
Por sipas burimeve, nuk gjeti sende të kundraligjshme, ndërsa duket se familja Mjacaj jeton në varfëri ekstreme.
Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe 12 personat e tjerë të arrestuar për shpërdorim detyre, mes tyre edhe drejtorin e burgut Kamber Hoxha dhe funksionarët e tjerë.
Pasi është marrë në pyetje, Sokol Mjacaj është transferuar në burgun e Fierit.
Sipas hetimeve të deritanishme dhe nga marrja në pyetje e autorit, bëhet e ditur se arma e zjarrit është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjaca për një kohë rreth 20 dite.
Gjithashtu kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg, më konkretisht në ajrim, apo regjimi brendshëm.
Hetimet e prokurorisë janë fokusuar në marrjen e porosisë nga Mjacaj për të ekzekutuar Arben Lleshin. Në vitin 2013, Lleshi u dënua në Angli me burgim të përjetshëm dhe me një minimum prej 32 vitesh për vrasjen e bashkëkombasit të tij, Agim Hoxha në Sauthempton.
Në atë kohë, Lleshi 27-vjeç, vrau dhe më pas dogji në automjet Agim Hoxhën, 29-vjeç, pasi sipas tij e kishte kërcënuar për një pazar droge të shkuar keq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.