Ngjarje

Konflikt me armë zjarri mes 3 të dënuarve përjetë në burgun e Peqinit, një i vdekur dhe një i plagosur

Gazeta Si - Në një konflikt me armë zjarri mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm në burgun e Peqinit, njëri prej tyre dyshohet se ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur.

Sokol Mjacaj, vrasësi i dy turistëve çekë dhe i dënuar me burg përjetë, ka qëlluar me armë në drejtim të dy të dënuarve të tjerë, Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja.

I dënuari Lleshi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, i dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nuk ka policë apo civilë të lënduar. “Për shkak të një konflikti mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm kanë mbetur të plagosur dy prej dhe ndërkohë situata po menaxhohet! Ju sqarojmë që s’ka asnjë gardian, staf policor dhe civil të lënduar“, njofton Drejtoria e Burgjeve.

Sokol Mjacaj

Mësohet se ngjarja ka ndodhur me armë zjarri tip pistoletë që dyshohet të futur me dron në ambientet e burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin.

Mësohet se i dënuari përjetë Arben Lleshi është qëlluar me 3 plumba nga Sokol Mjacaj, duke i shkaktuar plagë që kanë rezultuar fatale për jetën e tij.

Sokol Mjacaj i cili sapo ishte kthyer nga ajrosja, ka shkuar në qelinë e Arben Lleshit dhe Indrit Shaqjes. Nga dritarja e qelisë, Mjacaj ka hapur zjarr ndaj Lleshit, por për pasojë ka mbetur i plagosur aksidentalisht edhe Indrit Shaqja.

Situata brenda burgut është aktualisht nën kontroll, ndërsa hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendngjarje kanë shkuar edhe Drejtori i Përgjithshem i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, forcat RENEA.

Megjithatë, të dhënat rreth ngjarjes janë të paqarta dhe pritet informacion më i detajuar në vijim. Më herët, Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm “41 bis” për të.

Sokol Mjacaj është dënuar nga gjykata si autor i vrasjes së dy turistëve çekë, Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe me qëllim grabitjen e mjetit të tyre fuoristradë.

Sokol Mjacaj dhe Arben Lleshi

Kush janë tre të dënuarit që u përfshinë në konflikt

Tre të dënuarit me burg përjetë janë përfshirë në konfliktin me armë të regjistruar sot në burgun e Peqinit janë Sokol Mjacaj, Arben Lleshi dhe Ilir Xhakja.

Sokol Mjacaj

Sokol Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit.

Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre. Pas kryerjes së krimit Mjacaj u largua nga vendngjarja dhe u ul në një kafene të fshatit për të porositur kafe.

I tha kamerierit të lokalit se kishte një aparat fotografik për të shitur për 5000 lekë. Kamerieri ka këmbëngulur se nuk e blen me atë çmim, pasi aparati ishte i thyer. Ai ka dhënë vetëm 500 lekë Mjacajt, më pas ky i fundit u largua në drejtim të paditur.

Sokol Mjacaj u arrestua dy ditë më pas më 5 korrik 2015. Pikërisht më 5 korrik 2022 Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin, burg përjetë për Sokol Mjacajn. Ky dënim ishte dhënë nga Gjykata e Apelit të Shkodër në 2018.

Indrit Shaqja (majtas), Sokol Mjacaj (në mes) dhe Arbel Lleshi

Arben Lleshi

Arben Lleshi i dënuari me burgim të përjetshëm që mbeti i vrarë ditën e sotme nga përleshja e armatosur me të dënuarin tjetër Sokol Mjacaj në burgun e Peqinit rezulton i dënuar nga drejtësia angleze me 32 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari, ngjarje e ndodhur disa vite më parë në Angli.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 10 prill të vitit 2012 kur Lleshi atëherë 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën 29 vjeç në Sauthempton.

Ndërkohë, Afrim Lleshi 39 vjeç i cili atëherë u akuzua si bashkëpunëtor në këtë krim makabër, është shpallur nga Gjykata i pafajshëm në lidhje me këto akuza. Lleshi u ekstradua drejt Shqipërisë në vitin 2016, ku u transferua për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Indrit Shaqja

Indrit Shaqja është dënuar për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeçe.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 shtator 2014 në shtëpinë e viktimave në Durrës. Nipi i njërës prej viktima, Artur Kaçanolli, besonte se të moshuarat kishin para dhe flori në shtëpi, ndaj organizoi një grabitje në të cilën morën pjesë edhe dy miqtë e tij: Velson Elmazi dhe Indrit Shaqja.

Ata hynë me forcë të shtëpi, e pasi nuk arritën të gjenin aq shumë para sa mendonin, dhunuan për vdekje të dyja gratë.

Dy prej autorëve u arrestuan 15 ditë pas krimit, ndërsa Indrit Shaqja u arrestua një muaj më pas në Spanjë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë.

Por vetëm 2 muaj më herët nga vrasja e dyfishtë, Indrit Shaqja ishte protagonist në një tjetër ngjarje. Bëhet fjalë për zhdukjen e këngëtarit të tallavasë, Renato Hamza, i njohur ndryshe si Reni i Elbasanit.

Sipas hetimeve, Shaqja është një nga personat e fundit me të cilët takohet Reni i Elbasanit, mbrëmjen e 29 qershorit të vitit 2014, ku më pas u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.

Për këtë ngjarje, Shaqja nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve dhe gjykata vendosi ta dënojë me burg përjetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë