Politike

Belind Këlliçi: SPAK duhet të shkojë ‘ma nalt’ se drejtorët e Bashkisë së Tiranës

Sali Berisha dhe Belind Këlliçi dolën në një konference për shtyp të martën në mesdite duke publikuar disa korrespondenca të reja që lidhen me inceneratorin e Tiranës për të cilin ata bëjnë përgjëgjës direkt Erion Veliajn.

“Erion Veliaj është personi kryesor përgjegjës, pasi është autori i ndryshimit të strategjisë së mbetjeve në Tiranë nga metoda pa djegie në metodën me djegie. Pa këtë ndryshim nuk do mund të flitej për djegës apo djegie të mbeturinave.

Erion Veliaj është personi që me firmën e tij, siç faktojnë shkresat që ai si kryetar bashkie i dërgon Shkëlqim Canit, dhe Arben Ahmetaj i del zot studimit të fizibilitetit për djegësin e Tiranës, studim që falsifikon me qëllimin fund e krye leverdishmërinë e këtij djegësi për të cilin IFC dhe Xhajka nuk kishin qenë dakord pikërisht për shkak të çmimeve të larta të papërballueshme.

Erion Veliaj duke falsifikuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka dhënë garanci me firmën e tij pa mbledhur këshillin për pagesën 92 milionë euro nga kjo bashki për djegësin e Tiranës, ç’ka do të thotë ai është padron i pakundërshtueshëm, por edhe një mashtrues publik por edhe falsifikator i aferës së djegësit të Tiranës.

Erion Veliaj duke falsifikuar ka dhënë garanci për Këshillin e Qarkut të Tiranës, domethënë për bashki të tjera të këtij qarku se do paguajnë tarifën e kërkuar nga sipërmarrja.

Erion Veliaj ka patur në KVO dy përfaqësues të cilët me guxim kanë deklaruar se Bashkia e Tiranës nuk ka mundësi financiare të paguajë tarifat e djegies së mbetjeve. Të dy ata sot janë në burg, kurse Veliaj që ka mashtruar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe të Qarkut të Tiranës është i lirë dhe nuk ka asnjë lloj problemi me drejtësinë...”, tha Berisha.

Edhe Belind Këllici kërkoi nga SPAK që përgjegjësia të shkojë më lart se 14 të arrestuarit për inceneratorin e Tiranës.

“Nga muaji gusht i këtij viti e deri ditën e djeshme, ju kam treguar dhe vendosur ne dispozicion, si publikut, por edhe organit të akuzës, Aneks Kontratën nr. IX, ku faktohet se Erion Veliaj ishte i vetmi Kryetar Bashkie që e firmosi një angazhim të tillë, pa miratim të Këshillit Bashkiak. Asnjë prej kryetareve të Bashkive të Qarkut Tiranë nuk e ka firmosur këtë dokument, përveç Erion Veliajt.

Ju kam treguar me fakte se si kulla pas Sahatit, Teatri Kombëtar, kompania Arlis-Ndërtim, fitonin privilegje në biznesin e depozitimit të dherave i udhëhequr nga Erion Veliaj.

Sot, po ju vë në dispozicion një e-mail tjetër që tregon qartazi se si, sipas asaj shprehjes se famshme të Ulsi Manjes, vendimet merreshin ‘ma nalt’.

Ndaj dhe SPAK duhet të shkoje ‘ma nalt’ se drejtorët e Bashkisë Tiranë, duhet të shkoje tek koka e kësaj afere që është Erion Veliaj” tha Këlliçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë