Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim ndryshimet e reja në ligjin e planifikimit të territorit.
Sipas draftit, propozohet heqja e opsionit të shembjes së një subjekti ilegal dhe zëvendësohet me konfiskim për interes publik, sipas volumit të ndërtuar ilegalisht.
Në projektligj thuhet që KKT, Këshilli Kombëtar i Territorit, të bëhet KKTU, pasi do të administrojë edhe burimet ujore. Kompetencat e këtij autoriteti do të zgjerohen dhe përveç miratimit të lejeve komplekse ndërtimore, KKT do të mund të ndryshojë regjimin dhe kufijtë e zonave të mbrojtura, sipas rastit, të vlerësojë risqe, të shpallë zona vulnerabil dhe të autorizojë përdorimin e burimeve ujore.
KKTU-ja do të ketë në ndihmë të saj edhe Sekretariatin Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, i cili do të administrojë dokumentacionet e KKTU-së dhe do të ndërveprojë në emër dhe llogari të aplikuesit.
Të gjitha informacionet që ekzistojnë në regjistrin kombëtar të Planifikimit të Territorit do të kalojnë dhe do të aksesohen nëpërmjet sistemit “e-planifikimi”.
Sipas drafitit, “Plani i Përgjithshëm Kombëtar të Territorit”, do të ndryshohet në “Planit Kombëtar të Hapësirës Detare”.
Plani zhvillohet dhe zbatohet duke marrë parasysh veçoritë e hapësirave detare, aktivitetet dhe efektet e lidhura me mjedisin si dhe burimet natyrore; aspektet ekonomike, sociale dhe mjedisore si dhe aspektet që lidhen me sigurinë e përdorimeve civile dhe prodhuese të detit; ndërveprimet tokë-det.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.