Nga Gazeta ‘Si’-Geert Wilders ishte fituesi surprizë në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën të mërkurën në Holandë, pas një rritjeje të vonshme në sondazhe, e cila i siguroi partisë së tij anti-BE një fitore të bujshme ndaj rivalëve të tij kryesorë. Ndërsa njerëzit në Holandë dhe në pjesën tjetër të Evropës, po përpiqen të kapërcejnë tronditjen nga kjo ngjarje, ja cilat janë disa nga çështjet kryesore që duhet të marrin në konsideratë:
Kush është Wilders?
60-vjeçari Wilders, është prej dekadash një personazh i njohur në politikën holandeze. Ai e nisi karrierën e tij si anëtar i grupit liberal të ish-kryeministrit Mark Rutte, por u shkëput duke qenë një deputetit i pavarur, përpara se të krijonte Partinë e Lirisë që është haptazi kundër emigrantëve, e njohur me shkurtesën PVV në gjuhën holandeze.
Ai është përballur me kërcënime me vdekje për shkak të pikëpamjeve të tij anti-islamike, dhe është nën mbrojtje e rreptë të policisë që nga viti 2004. Në vitin 2020, një gjykatë e shpalli fajtor për akuzat e fyerjes, për shkak të komenteve që bëri ndaj emigrantëve marokenë, por gjyqtarët nuk caktuan asnjë dënim konkret për të. Ai shihet si politikani holandez, përfaqësues i një populizmi të mbështetur nga Donald Trump në SHBA apo nga presidenti i sapozgjedhur i Argjentinës, Javier Milei.
Si fitoi ai?
Pak njerëz e cilësuan Gert Wilders një kandidat serioz në fillim të fushatës elektorale. Por Dilan Yesilgoz-Zegerius, pasardhësja e Mark Rutte në krye të grupit liberal, i dha atij një “kamerdare shpëtimi”, duke deklaruar se do të merrte në konsideratë mundësinë e një koaliconi për bashkëqeverisje me Partinë e Lirisë.
Një tjetër kryesues i hershëm në sondazhet paraprake, Pieter Omtzigt, humbi shumë terren rrugës pasi nxiti në publik dyshimet nëse ai donte vërtet të bëhej kryeministër. Nga ana tjetër, Wilders pati një qasje më pragmatike, duke zbutur disa nga politikat e tij më të diskutueshme, dhe duke u thënë votuesve se donte të ishte pjesë e qeverisë së ardhshme, cilado qoftë ajo. Më pas, ai u paraqit shumë mirë në debatet e fundit televizive, duke u shfaqur më i sigurt në idetë dhe propozimet e tij se rivalët e tjerë në garë.
Çfarë ka premtuar Wilders?
Një nga propozimet e tij më të rëndësishme, ka të bëjë me një referendum të detyrueshëm për nxjerrjen e vendit nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, Wilders dëshiron që Holanda të tërhiqet nga detyrimet e saj ndërkombëtare në kuadër të masave kundër ndryshimeve të klimës, dhe ka bërë thirrje për një reduktim masiv të imigracionit.
Holanda “është dobësuar ndjeshëm për shkak të flukseve të vazhdueshme të azilkërkuesve dhe emigracionit masiv”, do të shprehej partia e tij në manifestin e saj elektoral. Po ashtu, Geert Wilderds është zotuar të ndalë dërgimin e ndihmave në Ukrainë, dhe ka bërë thirrje për ndalimin e Kuranit dhe mbylljen e xhamive.
Por në fjalimin e tij gjatë natës së zgjedhjeve, ai tha se është i gatshëm të bëjë kompromis për të siguruar arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje në koalicion. Prandaj nuk është e qartë, se sa nga këto politika do të jetë në gjendje të zbatojë në të ardhmen.
A mund të sigurojë vërtet një marrëveshje për një qeveri koalicioni?
Partia e Lirisë së Geert Wilders parashikohet të fitojë 35 vende. Por atij i duhen 76 vende në total për të siguruar një shumicë të plotë. Rezultati paraprak, sugjeron se një koalicion i qendrës së djathtë, do të përfshinte ish-partinë e kryeministrit në largim Rutte, grupin e sapokrijuar të qendrës së djathtë “Kontrata e Re Sociale” dhe Lëvizja e Fermerëve.
Së bashku këto parti do të kishin 86 vende në parlament. Përpara zgjedhjeve, Yesilgoz-Zegerius tha se ishte e përgatitur të qeveriste së bashku me Wilders, por ajo u tërhoq disi natën e zgjedhjeve. Partia e Fermerëve, tha se do që të jetë pjesë e bisedimeve për një koalicion qeverisës.
Por nuk ka asnjë garanci që Wilders do të marrë postin e lartë të kryeministrit. Në vitin 1982, Partia Laburiste holandeze fitoi shumicën e vendeve, por rivalët e saj të qendrës së djathtë arritën në fund të vendoseshin në krye të koalicionit qeverisës.
Burimi: Time/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



