Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka miratuar Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit 2024-2026, bashkë me objektivat e institucionit për këtë periudhë.
Kjo strategji është një zgjatim i asaj të shkuarës por vjen edhe me ndryshime. BSH synon që të rrisë transparencën dhe llogaridhënien publike. Aty përfshihen edhe parashikimet mbi politikat e ardhshme monetare, rezervën valutore, sistemin e pagesave etj.
Në të njëjtën ditë Këshilli Mbikëqyrës miratoi gjithashtu buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2024 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2025 – 2026.
Sipas njoftimit, buxheti i miratuar për vitin 2024 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2025-2026 do të përmbushë objektivat e paracaktuara në Strategji. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.
Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2024 – 2026, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun.
Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.