Gazeta Si - Shqipëria ka përgatitur dosjen e ekstradimit të Dritan Rexhepit dy javë pas arrestimit në Stamboll të Turqisë.
Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dosjen e të ashtuquajturit "Mbretit” të kokainës.
"Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t'u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi! Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023", - thuhet në njoftimin për shtyp.
Më pas, dokumenti zyrtar do të dërgohet në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë turke me kërkesë ekstradimin e 43-vjeçarit të kapur në 8 nëntor.
Vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në 17 nëntor u shpreh para mediave se dosja e SPAK dhe e Prokurorisë së Përgjithshme për Dritan Rexhepin, kishte mbërritur në institucionin që ai drejton.
Në garë me Shqipërinë për ta ekstraduar Rexhepin, është edhe Italia, e cila ndihmoi autoritetet turke në gjurmimin dhe më pas në arrestimin e tij në një vilë në periferi të Stambollit.
Por edhe Anglia dhe Belgjika kanë kërkuar ekstradimin e trafikantit shqiptar të drogës. Manja tha se ai është shtetas shqiptar dhe se do bëjnë të gjitha përpjekjet për ta ekstraduar.
Megjithatë, ekstradimi i Dritan Rexhepit nga Turqia drejt Shqipërisë duket se do të jetë një proces i i gjatë.
Shqipëria e ka dënuar Rexhepin për vrasje me 25 vjet burg, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentesh dhe e akuzon si urdhërues të një rrëmbimi me pasojë vdekjen, si dhe trafik narkotikësh.
Nga ana tjetër, në Itali 43-vjeçari është dënuar për trafik narkotikësh me 16 vite burg dhe është i pandehur si drejtues i organizatës “Compania Bello”.
Italia e cila luajti rolin kryesor në kapjen e 43-vjeçarit, gjithashtu është e interesuar për ta nxjerrë atë para drejtësisë. Me anë të një komunikimi zyrtar të shtunën, Polica italiane bëri të ditur se edhe ajo kishte dorëzuar në Turqi kërkesën për ekstradim.
Përtej kritereve që lidhen me rrezikshmërinë e veprave penale, një tjetër kriter shumë i rëndësishëm që duket se në këtë rast do të jetë vendimtar, është se cila kërkesë për ekstradim regjistrohet e para pranë autoriteteve turke.
Arrestimi i tij u bë në një lagje të Stambollit, ku ai fshihej me një identitet të rremë. Lajmin e bëri të ditur ministri i brendshëm turk, Ali Yerlikaya i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe italiane u arrestuar gjatë operacionit “Kartel” të organizuar nga autoritetet turke në një vilë luksoze në Stamboll.
Gjatë ndalimit atij iu gjetën armë, sasi të mëdha monetare, drogë dhe sende të tjera me vlerë. Rexhepi ishte futur në Turqi nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur falë shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve turke, italiane dhe atyre shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.