Nga Robert Skidelsky- Bota ishte një vend relativisht i paqtë gjatë shekullit XIX. Përveç Luftës Civile Amerikane dhe Rebelimit të Taipingut në Kinës, midis fundit të Luftërave Napoleonike në vitin 1815 dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, pati shumë pak konflikte të gjata.
Dhe ky fakt ngre një pyetje themelore: Si i shmangu Evropa luftërat e mëdha për 100 vjet, madje edhe në mesin e asaj që Hedley Bull e quajti një “anarki ndërkombëtare”? Samiti i fundit midis presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping në San Francisko, shënoi një përmirësim të rëndësishëm në krahasim me takimin e një viti më parë në Bali të Indonezisë.
Kjo sepse të dy udhëheqësit bënë përparim në objektivat e arritshme, duke përfshirë rifillimin e komunikimeve në nivel ushtarak, dhe përpjekjet e përbashkëta kundër trafikut të drogës së rrezikshme fentanil. Mendimi dominues është se Koncerti i Evropës, i themeluar në vitin 1815, luajti një rol kyç në ruajtjen e paqes.
Ndonëse perceptohej shpesh si një mekanizëm për ruajtjen e ekuilibrit të fuqisë së kontinentit, Koncerti i shërbeu faktikisht një synimi normativ:parandalimit të luftës midis vendeve me interesa dhe vlera të përbashkëta.
Në thelb, 5 fuqitë e mëdha evropiane – Austria, Britania, Franca, Prusia dhe Rusia – ranë dakord të mos ndryshojnë kufijtë e tyre pa pëlqimin reciprok. Krijimi i sferave të ndikimit, të cilat shërbenin si tampon fizik midis këtyre fuqive të mëdha, ishte pjesë përbërëse e llogaritjeve të tyre gjeopolitike.
Nga fundi i shekullit XIX, Koncerti i Evropës ishte shndërruar në një sistem paqeruajtës global, ku fuqi të ndryshme koloniale ndanë midis tyre kolonitë në Afrikë dhe Azinë Lindore. Por ndërsa Koncerti synonte që të trajtonte “Çështjen Lindore”, Lufta e Krimesë e viteve 1853-1856, e cila vuri kundër Rusisë, Britaninë, Francën dhe Perandorinë Osmane – nxori në pah kufizimet e saj.
Lufta e Krimesë, u shkaktua nga kërkesat e Rusisë për përmirësimin e trajtimit të të krishterëve ortodoksë në Palestinë. Përshkallëzimi i konfliktit, bëri që Perandoria Osmane t’i shpallte luftë Rusisë, teksa Britania dhe Franca u rreshtuan në krah të osmanëve.
Burrështetasi britanik, John Bright, ia vuri fajin Britanisë për Luftën e Krimesë, duke argumentuar se mbështetja e saj e pakushtëzuar, e inkurajoi Stambollin t’i shpallte luftë Shën Petersburgut. “Unë ose do ta kisha lejuar ose do ta detyroja Turqinë të dorëzohej, ose do të kisha këmbëngulur që ta vazhdonte luftën e vetme”- tha Bright.
Ai theksoi se ishte e gabuar strategjia britanike për të mbështetur Perandorinë Osmane, si një mburojë kundër zgjerimit të Rusisë drejt lindjes. Frika nga një përpjekje ruse për të pushtuar Indinë, ishte më shumë një paranojë. Ajo ishte një luftë e zgjedhur, pohoi ai, dhe kësisoj nuk mund të justifikohej.
Në vend të kësaj, Bright mbrojti politikën e “mosndërhyrjes”, shoqëruar me një angazhim të papenguar tregtar dhe financiar. Në vitin 1876, Perandoria Osmane testoi edhe një herë Koncertin e Evropës duke masakruar mijëra burra, gra dhe fëmijë bullgarë.
Politikani liberal britanik William Gladstone, reagoi me një deklaratë që dënonte “tmerret në Bullgari” dhe bënte thirrje për largimin me forcë të turqve nga Evropa. Por kryeministri Benjamin Disraeli, i pa ato masakra si një shpërqendrim të bezdisshëm nga misIoni për të mbështetur osmanët kundër ekspansionizmit rus.
Pas përpjekjeve të pasuksesshme të fuqive të mëdha për të vendosur një regjim më pak shtypës në Ballkanin e kontrolluar nga osmanët, në qershor 1877 Rusia pushtoi Turqinë, gjoja në përpjekje për të mbrojtur nënshtetasit e krishterë të Sulltanit.
Pasi shtypi një rezistencë të fortë turke, rusët i detyruan osmanët të nënshkruanin një paqe ndëshkuese, e cila do të kishte zgjeruar në masë të madhe madhësinë e Bullgarisë si shteti i saj satelit ortodoks, dhe do t’i sillte fitime të rëndësishme territoriale në Kaukaz.
Këtë herë, Disraeli nuk ofroi një mbështetje të pakushtëzuar për turqit, dhe Rusia e pranoi se edhe fuqitë e tjera të mëdha kishin të drejtën të konsultoheshin për çdo pretendim territorial. Ajo qasje krijoi terrenin për Kongresin e Berlinit të vitit 1878, i organizuar nga Otto von Bismarck, që prodhoi një sërë kompromisesh.
Kështu Britania mori kontrollin e Qipros, në këmbim të disa zgjerimeve territoriale nga Rusia. Edhe pse marrëveshja përfundimtare e paqes ishte me shumë të meta, ajo parandaloi një luftë të madhe evropiane për 36 vitet e ardhshme.
Por në fund, sistemi paqeruajtës i shekullit XIX, i ruajtur nga elitat aristokrate që e dinin se lufta në shkallë të gjerë e kërcënonte statusin e tyre, nuk mundi t’u rezistonte forcave të nacionalizmit dhe revolucionit që përfshinë Evropën dhe pjesën më të madhe të botës gjatë fillimit të shekullit XX.
Përkrahësit e tyre, synuan të zëvendësonin paqen e imponuar të perandorive me një paqe më autentike, të bazuar tek parimet demokratike dhe vetëvendosja kombëtare. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u krijua Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me qëllim nxitjen e një paqeje të qëndrueshme.
Por atij i mungonte kohezioni moral dhe legjitimiteti i nevojshëm, për të përsëritur marrëveshjen joformale të shekullit XIX-të. Në realitet, paqja relative e epokës së pasluftës, nuk ishte aq shumë produkt i sistemit të OKB-së, por më shumë si rezultat i ekuilibrit të terrorit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.
Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, bota e pa veten pa një mekanizëm paqeruajtës të besueshëm, duke i hapur rrugën luftërave të sotme që zhvillohen përmes palëve të treta. Sukseset dhe dështimet e Koncertit të Evropës, ofrojnë leksione shumë të vlefshme për vendosjen e normave të reja paqeruajtëse.
Një nga mësimet kryesore, e theksuar nga Bright dhe e pranuar nga Disraeli, është se ofrimi i mbështetjes së pakushtëzuar ushtarake për një vend më të dobët të kërcënuar nga një kundërshtar më i fuqishëm, lë pak shumë hapësirë për kompromis.
Një leksion tjetër që nuk duhet harruar, është rritja e vënies së theksit tek çështjet morale dhe ligjore. Sot nismat për paqe, minohen shpesh nga mizoritë reale dhe të supozuara, si dhe nga natyra e regjimeve të përfshira në to. Ndërkohë, futja e konsideratave morale në marrëdhëniet ndërkombëtare, i vështirëson më tej përpjekjet për të ruajtur paqen globale.
Tek e fundit, nuk mund të negociohet me një regjim, të cilit ia mohon legjitimitetin moral. Rrjedhimisht, shumica e luftërave të nisura apo nxitura nga vendet perëndimore, synojnë në mënyrë të tërthortë ndryshimin e regjimit. Për më tepër, mbështetja në rritje tek sanksionet ekonomike, bojkotet politike dhe akuzat e liderëve politikë për krime lufte, e pengojnë ekzistencën e një diplomacie efektive.
Këto taktika agresive, mjegullojnë linjat midis paqes dhe luftës, dhe i inkurajojnë vendet të përfshihen në luftëra agresioni nën maskën e vetëmbrojtjes. Ndërsa “Loja e Madhe” e shekullit XIX u karakterizua nga paranoja britanike rreth ekspansionizmit rus, peizazhi i sotëm gjeopolitik përputhet më shumë me “teorinë e dominosë” të epokës së Luftës së Ftohtë.
Dikur qeveritë ideologjikisht armiqësore me njëra-tjerën, mund të fitonin dijeni për qëllimet e njëra-tjetrës përmes kanaleve diplomatike dhe familjare. Ndërkohë sot është zbehur ndjeshëm roli i diplomatëve. Megjithatë, mbetet ende pa përgjigje pyetja nëse demokracia e promovon apo pengon kërkimin e paqes.
Ndërsa historia nuk ofron udhëzime se si të ruhet stabiliteti global, ajo mund të jetë ende një burim frymëzimi. Duke nxjerrë mësimet e duhura prej saj, ne mund të përpiqemi të rikrijojmë kushtet që çuan në një paqe të papërsosur, por afatgjatë.
Burimi: “Project Syndicate”/Përshtati Gazeta Si
Shënim: Robert Skidelsky, anëtar i Dhomës Britanike të Lordëve, profesor i Ekonomisë Politike në Universitetin Uoruikk, dhe drejtor jo-ekzekutiv i kompanisë private ruse të naftës PJSC Russneft gjatë viteve 2016-2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




