Gazeta Si – Ndeshja e së hënës me Ishujt Faroe do të jetë edhe dita e festës së madhe për kuqezinjtë, për kualifikimin në Euro 2024. Pjesë e festës do të jenë sigurisht edhe tifozët, të cilët do të mbushin stadiumin ‘Air Albania’.
Për të shmangur çdo problem, FSHF ka bërë një apel për tifozët e Kombëtares. Hyrja në stadium do të nisë 3 orë para startit të ndeshjes, në orën 17:45, me qëllimin që të shmangen vonesat. FSHF kërkon bashkëpunimin e tifozëve, që mbrëmja e së hënës të jetë vërtet një festë e madhe.
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm në ndeshjen Shqipëri–Ishujt Faroe (20 nëntor, ora 20:45), mbi orarin e hyrjes në stadiumin “Air Albania”.
Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë nga ora 17:45. FSHF kërkon bashkëpunimin e të gjithë tifozëve shqiptarë që të paraqiten në kohë, në mënyrë që të mos krijohen radhë ose vonesa dhe të gjithë të jenë në vendin e tyre në orën 20:45, kur nis kjo ndeshje. 20 nëntori duhet të jetë një ditë feste për të gjithë.
Federata Shqiptare e Futbollit ju falënderon për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pashtershme që i jepni gjithmonë ekipit Kombëtar. Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj”, – shkruhet në njoftimin e FSHF-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.